Thaçi vizitoi shtëpinë e Jeronim de Radës në Maqi të Kalabrisë

24.06.2017 13:52:47

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar shtëpinë e kolosit të Rilindjes Kombëtare, Jeronim  de Rada, si dhe ka bërë homazhe te varri i tij në Maqi të Kalabrisë.

Presidenti ka thënë se arbëreshët i kanë dhënë kuptim lëvizjes më të rëndësishme politike dhe kulturore shqiptare, Rilindjes Kombëtare, në krye me kolosin e letërsisë Jeronim de Rada.

“Arbëreshët i kanë dhënë kuptim Rilindjes Kombëtare, në krye me kolosin e letërsisë Jeronim de Rada. Sot, bëra homazhe të varri i De Radës dhe vizitova shtëpinë e tij në Maqi, ku takova edhe komunitetin arbëresh dhe Shoqatën Kulturore “Jeronim de Rada”.
Sheshi i Maqit vlonte prej gjallërisë dhe të folurës arbërishte. Për kontributin e shquar kulturor, shoqatën “Jeronim de Rada” e dekorova me Medaljen Presidenciale të Meritave”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Jeronim de Rada ka luajtur një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte shumë i madh, kurse tradita poetike e shkruar prej tij vazhdon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe.