“Thatësirë” në Londër, “shi” golash në Belgjikë, Franca mposht Uellsin

11.11.2017 00:43:48

Në ‘Wembley’ ka paqe, mes Anglisë vendase dhe Gjermanisë. Sfida miqësore, që pritej me interes të lartë, nuk arriti të prodhojë asnjë gol, ndonëse nuk munguan mundësitë e shënimit.

Shumë emra në fushë dhe shumë mungesa të rëndësishme për të dyja ekipet, por publiku londinez duhet të ketë mbetur I kënaqur me atë çfarë pa sot nga shkallët e stadiumit.

Në takimin mes Francës dhe Uellsit, vendasit arritën të fitojnë me rezultatin 2-0, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë. Griezmann shënoi në minutën e 18’, ndërsa sulmuesi i Arsenalit, Oliver Giroud vulosi fitoren në të 71-tën.

Shumë gola dhe spektakël, në miqësoren mes Belgjikës dhe Meksikës, e cila përfundoi me rezultatin 3-3. Hazard hapi serinë e golave për belgët, ndërsa Romelu Lukaku shënoi 2 herë në portën meksikane. Nga ana tjetër, miqtë u kundërpërgjigjën me golin e Guardados dhe dopietën e Lozanos.

Takimi tjetër mes Polonisë dhe Uruguajit përfundoi në barazim pa gola, ndërsa Ukraina mposhti 2-1 Sllovakinë. /supersport.al/