“The Economist”: Perëndimi përkrah ‘stabilitokracitë’ në Ballkan

Nga Muhamet Hamiti
Në një shkrim në numrin më të ri (1 korrik 2017), magazini i përjavshëm “The Economist” përvijon gjedhen e pushteteve autokratike në Ballkan që Perëndimi i përkrah për ta ruajtur paqen. Disa i kanë dhënë emrin “stabilitokraci”, simbas një profesori malazez që e farkoi termin, ndërsa të tjerë thonë se gjërat kanë qenë kështu përherë. Ish-kryeministri autokratik serb Aleksandar Vuçiq zgjodhi pasuese të veten në detyrë Ana Bërnabiqin, një grua lezbike, për të mbajtur pushtetin vetë por edhe për të marrë lavdata nga liberalët e huaj. “Në të vërtetë z. Vuçiq do ta qeverisë vendin, dhe ai nuk është liberal. Megjithëkëtë, udhëheqësit perëndimorë janë lehtësuar” sepse, përkundër ceneve të tij, ai do ta ruajë stabilitetin në Serbi, shkruan “The Economist”, që sheh variacione të këtij modeli në gjithë rajonin.
Vendet perëndimore injorojnë praktikat anti-demokratike të autokratëve vendorë për sa kohë që ata mbajnë paqen, thotë “The Economist”, dhe jep shembujt nga Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia. Pushteti në Mal të Zi nuk ka ndërruar asnjëherë në kuti votimi që nga viti 1989, prej kur Millo Gjukanoviqi ka marrë pushtetin, përkujton magazine.
“Në vendet e Ballkant zakonisht zgjedhjet shpiejnë në negociata që fokusohen në atë se si të ndahet plaçka. (Zgjedhjet si të Shqipërisë më 25 qershor, që i fitoi me shumicë për të qeverisur vetë Partia Socialistë, janë tepër të rralla). Me gjetë zgjidhje se kush merr cilën ministri është relativisht lehtë. Çështje me e madhe është se kush merr kompanitë publike, bashkë me mundësitë për patronazh dhe pagesë haraçi”, shkruan magazini i njohur.
Shkrimin e vet “The Economist” e mbyll me Kosovën: “Në Kosovë, partia që doli me rezultate më të mira në zgjedhjet e 11 qershorit ka bërë fushatë duke denoncuar Perëndimin për përkrahje të qeverisë së korruptuar. Kjo parti poashtu mbështet krijimin e Shqipërisë së Madhe. Po qe se ndokush do të përpiqej të realizonte atë projekt, rajoni do t’i kthehej luftës me shpejtësinë me të cilën burrat do të mund të nxirrnin armët që kanë groposur në oborret e shtëpive të tyre. Në afat të gjatë, stabilitokracia mund të jetë recetë për jostabilitet”.