Thesari kombëtar – filozofia e mosdhunës, respektit dhe dashurisë

28.02.2017 19:09:09

Dua të flas si qytetare e Republikës së Kosovës, si një ndër të shumtit qytetarë të brengosur për shkak të kësaj situate politike që e kemi në Kosovë.
Dhe po ju bëj me dije atyre të cilët eventualisht mendojnë të më thonë se unë nuk po jetoj në Kosovë dhe se nuk kam të drejtë të flas për vendin tim dhe për ardhmërinë e vendit tim, se ; le të maten mirë nëse e bëjnë një gjë të tillë dhe le ta kenë parasysh integritetin tim si aktiviste politike qe 27 vite, integritet të cilin tashmë e kam dëshmuar edhe me dokumentacion në librin tim PËR KOSOVËN INSTITUCIONALE dhe natyrisht si ish-deputete e Kuvendit të Kosovës e propozuar nga Presidenti Rugova.
E pranoj se shpesh here madje shumë shpesh kam pasë dilemë se sa është e drejtë heshtja e intelektualëve.
Ndojherë kam menduar se shqiptarët me status në shoqëri heshtin sepse janë të mençur, sepse flasin shumë me heshtjen e tyre. Këto dilema tashmë zgjatën shumë, aq shumë saqë mund ti krahasojmë me çerek jete, apo edhe gjysmën e saj.
Dhe mbas kaq kohe po i jap vehtes të drejtë të konstatoj se kjo heshtje e ”mençur” nuk qenka e shëndetshme për zhvillimet e vendit dhe të proceseve nëpër të cilat kaluam…aq më pak për demokracinë drejt të cilës po synojmë dhe për të cilën sakrifikuam një dekadë.
Tani unë nuk fola vetëm për intelektualët, si aktorë të proceseve që kaluam dhe po kalojmë, por mendimet e mia përfshijnë të gjithë bashkombasit të moshës madhore.
Aq për sa kam biseduar me njerëz dhe për aq sa kam lexuar, periudha 10 vjeçare e viteve të 90’ nga të gjithë shqiptarët njihet si periudhë e solidaritetit dhe bashkimit në mes të njerëzve. Kjo peridhë e JONA dhe PËR NE ishte kohë e sakrificës së madhe, sakrificë kjo e cila vullnetshëm bëhej me besimin se kështu do të fillonim një histori të re për popullin tonë, për fëmijët dhe për vehte.
Pra ishte kohë kur ne trajtuam njëri tjerin me respekt dhe dashuri dhe ishte kohë kur ne trajtuam mikun, fqiun njëlloj si vehten dhe fëmijët tanë.
Mirëkuptimi, jodhuna dhe dashuria u bënë stil i jetës tonë për një dekadë. Ky stil i jetës tonë bëri që me durim ti përballojmë okupimit të egër serb dhe të gjitha pasojave të këtij okupimi mbi familjet tona.
Në ballë të këtij unifikimi të qytetarëve të Kosovës u vu Presidenti i Kosovës dr.Ibrahim Rugova. Ky unifikim i popullit u bë jo vetëm stil i jetës por u shëndrrua në një politikë paqësore. Kjo politikë paqësore e krijuar dhe e udhëhequr nga Presidenti Historik i Kosovës dr.Ibrahim Rugova, u shëndrrua në filozofi të re politike. Kjo filozofi politike Rugoviane është e përvetshme për këtë pjesë të Evropës, komuniste deri në fund të viteve të 80’.
Falë rezistencës paqësore të popullit të Kosovës e cila ndoqi me besnikëri filozofinë Rugoviane dhe angazhimi i Presidentit Rugova për senzibilizimin e çështjes së Kosovës në gjithë botën, diplomacia botërore njohu Kosovën e harruar për kohë të gjatë dhe në këtë mënyrë çështjen e Kosovës e vendosi lartë në agjendat e diplomacive botërore.
Meqenëse filozofia raciste e okupatorit nuk ishte dhe ende nuk është në gjendje ta kuptojë filozofinë demoratike dhe të drejtën e popujve për të jetuar të lirë, ky unifikim i popullit të Kosovës u detyrua që për shkak të dhunës dhe rrezikut nga gjenocidi, të ndërrojë kurs dhe të mbrohet me gjuhën e njejtë, me armë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ajo e cila detyrohet që me anë të mbrojtjes së armatosur të mbrojë shtëpitë dhe trojet e veta dhe kjo është një temë tjetër poashtu e rëndësishme.
Filozofia e re demokratike e mosdhunës vulosi orjentimin e qartë të popullit të Kosovës kah demokracitë perëndimore.
Por duhet thënë të vërtetën se edhe gjatë përcaktimit të popullit të Kosovës për një stil dhe filozofi krejt të re në këtë pjesë të Evropës, në shtetet e perëndimit nga qarqe shqiptare po bëhej një luftë speciale e cila ishte në kundërshtim me këtë orjentim historik të popullit drejt botës demokratike dhe formës të mosdhunës si në jetën e përditshme poashtu edhe si filozofi politike.
Filozofia e mosdhunës tanimë e pranuar dhe e praktikuar nga populli qysh në fillim të viteve të 90’ kundërshtohej me kujdes dhe në mënyrë të sofistikuar nga qarqe në shtetet e perëndimit ku ishin vendosur bashkëatdhetarët tanë, të njohur si mërgata e re e Kosovës.
Ishte e vështirë, gati e pamundur që në atë kohë të fillimit të viteve të 90’ të identifikoheshin këto lloje të kundërshtimeve të cilat megjithate dita ditës vinin e kthjelloheshin dhe bëheshin edhe më agresive dhe të organizuara mirë. Ishte e vështirë sepse mërgata e re me entuziazëm dhe me të njejtën filozofi të mosdhunës dhe të organizimimt institucional po mundohej të organizohet dhe ta dëshmojë gadishmërinë për krijimin e një shteti demokratik.
Kundërshtitë dhe pengesat ishin të sofistikuara në kuptim të asaj se bëheshin kinse në emër të pluralizmit politik. Ishte absurd në vetëvehte! Shqiptarët në Kosovë po tregonin gadishmëri për të ndryshuar ose thënë me drejtë për të shprehur në mënyrë të artikuluar përcaktimin e tyre për liri, pavarësi dhe demokraci me orjentim nga demokracitë perëndimore dhe nga SHBA, ndërkohë që këto qarqe shqiptare po zhvillonin luftën më perfide për ta kundërshtuar këtë orjentim.
Shtrohet pyetja? Si ka mundësi që në atë kohë vendimtare kur i gjithë populli u orjentua dhe madje në kushte okupimi nën kërcënim të armëve doli edhe në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale dhe shprehi vullnetin e vet, që grupe të caktuara të kundështojnë dhe ta luftojnë këtë orjentim properëndimor?!
Logjikisht i bie se ato grupe shqiptarësh kanë qenë kundër orjentimit dhe filozofisë së unifikuar si kurrë më parë në histori për pavarësi dhe shtet demokratik me orjentim euroatlantik?
Të punohet kundër vullnetit të popullit në fillin e viteve 90’ në emër të pluralizmit, në kohën kur edhe regjimi serb po e bënte të njejtën gjë kundër shqiptarëve, i bie që edhe ato grupe edhe regjimi i atëhershëm serb paskan pasë një qëndrim: atë kundër krijimit të një shteti demokratik të Kosovës të orjentuar kah Evropa dhe Amerika!
Për regjimin e Serbisë e di, them regjimin sepse nuk mund ta përgjithësoj gjithë popullin serb, ngase pushtetarët atje kanë qenë dhe janë ende nën ndikimin e Rusisë komuniste. Por sot e kësaj ditë nuk e kuptoj se si qarqe e grupe politike marksiste leniniste mund të ishin dhe janë kundër filozofisë politike të mosdhunës dhe rrjedhimisht edhe kundër demokracisë.
Por për fat të keq realiteti e dëshmoi këte. Këto grupe shqiptarësh të pregaditura në perëndim u vunë në ballë të organizimit joinstitucional, përfituan materialisht, përçanë si është më keq skenën politike në Kosovë, prishën unitetin nacional dhe manipuluan njerëz të ligë të cilët u rreshtuan kah përfitimi personal, duke u vu në krye të OJQ e tj, duke vazhduar të mbajnë nën kontroll kaosin dhe pamundësinë për zhvillim.
Një gjë dihet, se asnjë luftëtar i devotshëm që ka sakrifikuar jetën për liri, kurrë nuk do ia bënte këto shkatërrime Atëdheut të vet.
As nuk e kanë bë as nuk e bëjnë kurrë luftëtarët dhe atdhetarët e vërtetë.
Nuk arrij ta kuptoj se si ka mundësi që disa qarqe shqiptare të punojnë në mënyrë shumë perfide për instalim të komunizmit/diktaturës!?!?
Nuk e di se a ka ndonjë argument se shqiptarët ia kanë pa hajrin sistemit komunist ndonjëhere në histori! Kurrë jo! Asnjë familje! As kombi në përgjithësi! Falë komunizmit kemi mbetë kështu të pazhvilluar!
Êshtë interesante poashtu se si ka mundësi që para fillimit të punës të Gjykatës Speciale përsëri tensionet në Kosovë të shkaktohen paralelisht edhe nga Serbia edhe nga qarqe të cilat përveç përçarjes, hasmërisë dhe kaosit nuk po prodhojnë asgjë tjetër!
Nuk dëshiroj ta teproj me sqarime të panevojshme sa i përket opozitës. Sigurisht se opozita duhet të jetë shumë e fortë dhe aktive për hir të forcimit të shtetit dhe demokracisë. Por është diçka tjetër që periudhat kohore të tëndencave për destabilizimin e Kosovës të përputhen kaq me përpikmëri, që aq mirë sinhronizohen incidentet, si nga qarqe shqiptare të skenës politike (të dukshme dhe të padukshme) me incidentet nga ana e Serbisë sa më shumë që po afrohet koha e fukcionalizimit të Gjykatës Speciale!
Nuk mund të rri indiferente as ndaj ngurtësisë së disa bashkëpartiakëve të mi. Ku mbeti filozofia unifikuese, filozofia e respektit, filozofia e solidaritetit, filozofia e pastër Rugoviane?
Sigurisht se jo në qëndrimet nonshalante po as atyre të pamatura të disa njerëzve në LDK!
Nuk jam më tutje e sigurtë se heshtja vjen vetëm nga njerëzit e mençur që mirren me punë të mëdha!
Të gjithë i kemi punët tona.
LDK është filozofi me rolin e saj si gurëthemel i demokracisë në këtë pjesë të Evropës!
LDK është përçuese e filozofisë së mosdhunës, respektit dhe dashurisë!
LDK është parti institucionale e shtetformuese me përgjegjësi të mëdha dhe të vështira në faza të ndryshme të shtetformimit!
Këto vlera nuk vdesin me ne, ashtu siq nuk do vdesë kurrë LDK!
Filozofia Rugoviane nuk vdes kurrë pavarësisht se kush dhe sa e aplikon, dhe do të mbetet thesar i shpirtit demokrat të Kosovës, Dardanisë antike!
LDK është histori e cila do të mësohet.

A e kemi arsyetuar veprimtarinë tonë në LDK? A e kemi dhanë provimin e LDK-së?
Të gjithë duhet ti kemi këto në ndërgjegjen tonë, ashtu siq të gjithë pashmangshëm mbajmë përgjegjësi për nesër!

Qibrije Hoxha