“Thirrjet e Nënave” kërkojnë nga Thaçi të mos e lejojë vizitën e serbëve në kishën në Gjakovë

27.08.2018 23:36:13

Shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, i janë drejtuar me një letër të hapur presidentit Hashim Thaçi, përmes së cilës i kanë kërkuar të ndalojë vizitën e serbëve në Gjakovë.

Në këtë letër thuhet se Thaçi ka nëpërkëmbur fatin e personave të zhdukur dhe ka anashkaluar familjarët e të zhdukurve, duke lejuar, siq thuhet në letër, kthimin e kriminelëve serbë në qytetin ku kanë bërë krime.

Tutje “Thirrjet e Nënave” përmes kësaj letre kanë deklaruar se nuk do të pajtohen me lejimin e vizitës së pelegrinëve serbë në kishën në Gjakovë.

Më poshtë gjeni letrën e plotë:

“I nderuari President, Z. Thaqi, Shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë ju dërgon këtë letër te hapur për faktin se ju e keni nëpërkëmbur fatin e personave të zhdukur nga kriminelët serbë në luftën e fundit në Kosovë dhe i keni anashkaluar nënat dhe familjarët tjerë duke ua shtuar edhe më tej dhembjen për bijtë dhe bijat e tyre të pagjetur e që cilësohen ende si pengje të Serbisë.

Ju e keni për obligim të mbroni qytetarët tuaj, të respektoni gjakun e derdhur për liri, të bashkëjetoni me dhembjet e nënave që presin një grusht eshtra të më të dashurve të tyre e jo të lejoni kriminelët serbë të veshur me petkun fetar dhe në bazë të kërkesës së Znj, Natasha Kandiq, ti lejoni kriminelët serbë që më 28 gusht 2018, të kthehen në qytetin ku kanë bërë krime.

Ne nuk do të pajtohemi kurrë dhe kërkojmë që ju vet ti ndaloni hyrjen kriminelëve e jo ata të shëtisin të lirë dhe të luajnë me fatin tonë.

Gjakova ka dhënë aq shumë dhe po vuan ende aq shumë sa ju nga Prishtina as që mund ta paramendoni një gjë të tillë.

Dhembja për mungesën e njerëzve tonë na mban në pritje dhe shpresë dhe në vend se të na kthehen eshtrat ju lejoni të manifestojnë kriminelët sërish në qytetin tonë në zemrën e Gjakovës.

Ju lutem ta ndërpritni këtë lojë politike dhe të kryeni obligimet tuaja kushtetuese ndaj qytetarëve e jo të na sillni dhembje të reja në plagët e vjetra”.

Presidenti Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme i është përgjigjur Themelueses së Qendrës për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, në lutjen e saj që sivjet serbët të lejohen ta vizitojnë kishën në Gjakovë.