Thjesht… Protestë?! (me varg të lirë, të bardhë)

21.02.2019 14:08:08

Nga Fatmir Terziu

I largohem në stinë të Abetares Atdheut tim. I fal ajrit pak frymë më shumë. Kërkoj
të gjej në rrënjë të reve modën më të mirë të qethjes së flokëve 
në atë shesh ku Kristoforidhi mban me këshilla të urta
ustallarët e vjetër të flokëtores së burrave. 
Afër tij hahet paçë. Pilaf. Qofte mëngjesore
një fëmijë ha ëmbëlsira të shtjelluara në formën e peshkut 
në bulevard ende dëgjoj zonjat të thërrasin miqësisht:
nuk është fjala për biletat e Teatrit “Skampa”,
por për daljet e reja në tregun “Gabi”. Thasët e mbushur
afër tregut ku aroma shumëzohet dy herë,
patate të fërguara, mish i skuqur, 
mbi një pjatë të lehtë, karkaleca, suxhuk 
pak vend në anën e majtë për vezën e zier. Uff është vonë. Ai do të më telefonojë mua,
thotë njëra që rikujton e trembur: “Po ku je moj grua?”
E dëgjoj. Nuk mund ta ndihmoj. Kujtoj, atë kohë të dashur. Ikjen me kokëfortësi.
Ngritje të reja muresh.
Nga lartësia i kam parë muret pas meje
në pasqyrë. Unë i ndjej ato sikurse hijet e mbivendosura të reve, 
një shesh i remë në Rilindje! Kristoforidhi ritregon
pa përdorur abetaren dhe lagështira ia ha bojën çdo ditë. 
Ai më tregon klipin me krehër dhe i them atij se si
Kinemaja ku zgjonim rininën tonë, e preferuara e të rrinjve quhet 
“Ndërtimi i pallateve më të mëdha” dhe ai hesht!
Me heshtje më tregon se si do të fluturoja në një kripë të tretur, shëllirë
loti, si u trajnua në vitet pa yndyrë.
Klip klip, klip klip. Unë imagjinoj çdo çast flokët e mi të bien rreth tokës 
në dyshemenë e flokëtores 
dhe zhurmat e kafenesë së vogël
demokratët që shajnë me të madhe. Mbaj mend, shokun tim! 
Ai përdorte për të prerë flokët e tij një brisk, 
mësoi të notonte në ujë kaustik,
luante me top llastiku dhe lahej në Shkumbin. 
Ishte berber. Quhej Florenc. Shëngjergji e kishte mbiemrin.
Të vjetër sa vetë “zanati” që e mori nga i Ati. Mjeshtër! E donim të gjithë. 
Tani atij, nuk e di a i kanë rënë flokët si të miat. 
Ai punoi njëzetë e pesë vjet në disa flokëtore.
Vinte në Kinema “11 Nëntori”. Erdhi bashkë me Ministrin e Kulturës,
Sot Kryeministër,
më kujtohet kur erdhi Shën Koneri
në inagurimin e Kinemasë Moderne. Më kujtohet.
Më kujtohet ai vend aty afër “Dhaskal Todhrit” të qindra intelektualëve.
Rilindja tani mëkaton me xhepat për pallate madhështore. 
Kam lindur disa blloqe larg dhe pastaj kam lëvizur.
Asnjë nga këto nuk duket të ketë lidhje më sot. Ky nuk është trungu im, 
pavarësisht nga gjyshi tjetër dhe tezja e mesme që
zemrat i qepën me jetën dhe vuajtjet mbrapa 
në zemrat e nxirra pas goditjeve të së shtunës vullnetare
në këtë kënd, më saktë, daja im i madh, i cili
pruri dy gurë anës rrugës, ku uleshin të dy gjyshet. 
Çfarë jam duke dëgjuar për qytetin tim? Një zë
që thotë, “Ky është edhe vendi juaj”, aq pak sa hijet në muret e Kalasë? 
Theksimet janë të panjohura. Të gjithë
të afërmit e qytetit janë të vdekur. 
Unë kurrë nuk e njihja Kryetarin e Gracenit, 
por çfarë të bëj me muzeun që ka emrin e tij,
çfarë të bëj me muret e Bankës së Shtetit që mbajnë emrin e gjakut tim,
muzeu nuk është proshutë 
dhe një shishe Raki në majë të violinës së Myzyrit të Madh, 
kurrë nuk kisha vizituar Shtëpinë e rrobaqepëses më të mirë, 
por unë e njihja Sanijen, që jetonte
në Lagjen e Re, tani, doni të mësoni edhe kush jam tamam unë, 
gjithësesi, duke gjetur veten në këto fantazma, hijet janë si gërshërët ndërsa
fantazmat e vërteta ecin rreth meje, flasin për gjërat e mia në qiell, 
më bërtasin që të mos rri në re, më luten, luten
mua, për memorjet e mia?
Çfarë është jeta në një qytet? Kam lexuar Bishqemin, Cekën, Kostrecin 
në mur në anën e “Ikanakes” siç kam lexuar gjithmonë: “Ardhacakë
në senenë tonë”. Unë shoh në pasqyrë dhe e shoh fytyrën time në murale 
me një prerje të re flokësh.
Djalosh, rinor i Elbasanit. Unë jam një penëmbajtës i gjallë. 
Unë jam protesta e djeshme, e sotme, 
Unë jam një pëllumb me flokë të qethur pranë Kristoforidhit, 
që e gjeta dhe e lashë në një bust me Abetaren në dorë,
ku po rivdes çdo ditë,
duke protestuar nga larg me fjalë dhe varg.