Thyerja e shpresave të qytetarëve, produkt i politikanëve të papërgjegjshëm!

18.03.2019 09:15:04
Florim Zeqa
Veprimtarët e viteve të ’90-ta edhe pse i kaluan afro 3 dekada larg atdheut nuk u shkëputen për asnjë çast nga vendlindja, edhe pse të politizuar, asnjëherë nuk u shantazhuan, edhe pse të injoruar nga pushtetarët, asnjëherë nuk u ndalën së vepruari për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.
Duke e analizuar situatën në shtetin e Kosovës 20 vjet pas çlirimit, pa dashje u ktheva në vitet e ’90-ta, u ktheva në lokalet e shkollës fillore “Azem Bejta” në Grabanicë të Klinës, ku asokohe në një lokal të përbashkët punonin dy sisteme paralele të arsimit. Në njërën anë ishin të barrikaduara strukturat serbe që gëzonin të gjitha privilegjet e pushtetit,…në anën tjetër ishim ne shqiptarët që punonim të ndarë prej tyre në kushte tjera.
Përkundër të gjitha vështirësive, me ne ishte morali i fortë për mbjelladituri tek ai brez shkollarësh, të cilët bashkë me ne përjetonin katrahurat me plot vështirësi të kohës.
E gjitha kjo bëhej më e lehtë falë financimit nga mërgata shqiptare, ku me kontributin e qytetarëve dhe mirëmenaxhimin e mjeteve financiare nga institucionet shtetërore dhe atyre arsimore në veçanti (LASH-i), e mbanim gjallë sistemin paralel të arsimit shqip në Kosovë në rrethanat e okupimit klasik të Serbisë.
Dallimi në kohë dhe përmbajtje
Edhe sot, 20 vjet pas lufte në shtetin e Kosovës, edhe pse në një sistem të vetëm qeverisës, përballë njëra-tjetrës ndodhen përseri dy shtresa të popullatës.
Në njërën anë janë të privilegjuarit e pushtetit. gjegjësisht familjet e pushtetarëve dhe oligarkëve ekonomik, si dhe ata që janë të lidhur me pushtetin (të punësuar në sektorin publik), ndërsa përballë tyre janë shumica e pupullatës shqiptare, të pa punë dhe të harruar nga shteti, që jetojnë në kushte të vështira dhe varfëri ekstreme.
Duke e parë se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, qytetarët e lënë pas dore, të nëpërkëmbur nga politika dhe të shfrytëzuar nga oligarkia kriminale, po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë për të ikur nga Kosova, ndërsa ata që ende nuk kanë gjetur rrugë po e presin me padurim liberalizimin e vizave për të ikur sa më parë dhe sa më larg nga vendi i pashpresë!
E gjithë kjo për shkak se, injorantët politikë, të korruptuar dhe tejinkriminuar janë shndërruar në vrasësit më të mëdhenj të ardhmerisë së fëmijëve tanë.
As okupatori serb nuk ua ka shkatërruar ardhmërinë gjeneratave të reja në këtë masë se sa kusarët e politikës, të cilët e duke e trajtuar shtetin si plaçkë, e rrjepën dhe e bënë leckë.
Dallimi qëndron në kohë, ndërsa ndryshimi tek kauzat e rrejshme
Përderisa pushtuesit e bënin mashtrimin në emër të “bashkim-vllazërimit”, kusarët e politikës shqiptare po e bëjnë në emër të “patriotizmit”.
Thyerjen e shpresave të shqiptareve të Kosoves nuk mundi ta bëjë regjimi okupues serb përmes formave më të vrazhda të represionit; helmimin e nxënësve, mbylljen e shkollave e fabrikave,  burgosjen dhe vrasjet sistematike,…por, po e realizojnë fatkeqësisht me sukses politikanët e papërgjegjshëm shqipfolës që ua bën jetën ferr qytetarëve në pjesën e shtetit të liruar nga pushtuesit serb.
Tani e dy dekada ndaj shumicës shqiptare në Kosovë është ushtruar presion psikologjik me padrejtësi në të gjitha segmentet e jetës, duke filluar nga degradimi i sistemit shëndetësor, arsimor e kulturor e deri tek mohimi i punësimit në sektorin publik, për shkak se të gjithë politikanët pa dallim u përkujdesën për punësimin e familjarëve të tyre dhe të militantëve partiak.
Mohimi i drejtësisë për qytetarët, është akti i fundit i thyerjes së të gjitha shpresave për jetë në një vend.
Popullata e lodhur nga skamja dhe denigrimi social i mbajti mbi kurrizin e saj pseudopatriotët dhe pseudokomandantët, që u shndërruan në “sheik” kundrejt një popullate të varfër.
Intelektualët e mirëfilltë dhe atdhetarët e vërtetë u injoruan dhe anashkaluan nga të gjitha qeveritë e pasluftës. Vendet e tyre i zunë servilët dhe puthadorët, karrieristët dhe lakmitarët e pushtetit.
Dy personalitete të kundërta me analogji të njëjtë 
Edhe pse dy personalitete të kundërta, Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti janë të vetmit liderë në historinë më të re të Kosovës që nuk u tërhoqën për as një milimetër nga qëndrimet e tyre politike dhe kombëtare.
I pari, Ibrahim Rugova (i dëshmuar në qeverisjen e vendit) edhe përkundër pengesave të shumëta, deri në frymën e tij të fundit nuk e hoqi nga goja pavarësimin e Kosovës nga Serbia. Kurse i dyti, Albin Kurti (i pa dëshmuar akoma në qeverisjen qendrore) nuk heqë dorë nga mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetin të shtetit të njohur ndërkombëtarisht.
Ashtu sikurse Ibrahim Rugovën, edhe Albin Kurtin konsistenca në qendrime dhe vendosmëria në arritjen e qëllimeve politike, i bën të dallohen prej politikanëve tjerë jo vetëm në Kosovë, por në mbarë trojet etnike shqiptare.
Përderisa në vitet e 90-ta, udhëheqësit politikë, aktivistët dhe veprimtarët ishin sinonim i së mirës, admiroheshin dhe respektoheshin aq shumë nga populli,…në Kosovën e sotme, politikanët shiqohen me ironi nga popullata, të cilëve përveqse u mungon pushteti moral, janë bërë sinonim i të këqijave, si; nepotizmit, korrupsionit, krimit të organizuar e dukurive të shumëta negative.
Për këtë situatë, përgjegjësia bie edhe mbi popullatën kosovare, që e mbajti kaq gjatë në pushtet një klasë politike të korruptuar dhe tejikriminuar.

18.03.2019