Thyerja e turpshme e Haradinajt!

24.01.2018 12:22:10

Shkruan: Florim Zeqa

Në momentin e zgjedhjes së zotit Haradinaj në kreun e ekzekutivit kosovarë, fillon edhe ndryshimi epokal i tij në qendrime e veprime politike dhe praktike. Edhe pse emërimi i të dyshuarit për krime lufte në postin e Ministrit të Bujqësisë, dhe mospërfillja  e kërkesave të qytetarëve për shkarkimin e Nenad Rikallos ishte dështimi i tij i parë, megjithatë ekzistonin shpresat se Haradinaj nuk do të dorëzohet lehtë!
Madje as pesimistëve të mëdhenjë nuk u kishte shkuar mendja që Haradinaj do të ndjekë hapat e Thaçit në raport me kriminelët serb.
Humbja e pakontrolluar e ekuilibrit politik të Haradinajt fillon menjëherë pas kërkesave të një grupi të deputetëve (PDK) për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, për të vazhduar më pas me kthimin në Kuvend të çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, veprime këto që lëkundën në masë të madhe raportet e Kosovës me miqt strategjik të saj (SHBA-të dhe BE-në).
Askush nuk e ka pritur një dorëzim kaq paradoksal dhe të shpejtë të kryeministrit Haradinaj përballë presioneve të çarqeve armiqësore të shtetit tonë. Për më tepër se befasi, lëshimi pe në qendrimet e Haradinajt në raport me çështjet kruciale për vendin paraqet shqetësim për qytetarët dhe rrezik për të ardhmen e vendit.
Qeveria Haradinaj nderon vrasësin e shqiptarëve
Padyshim, veprimi më skandaloz i kryeministrit Haradinaj llogaritet ai i ditës së hënë, i 22 janarit 2018 në mbledhjen e qeverisë, kur kryeministri detyron kabinetin qeveritar të nderojë një të dënuar për krime ndaj shqiptarëve!
Kjo situatë, sa paradoksale, duket edhe trishtuese. Akoma më trishtues bëhet fakti kur në të njëjtën “minut” të heshtjes dhe nderimit e futi kriminelin dhe çlirimtarin!
Kjo ndryshe nënkupton barazimin e viktimës me xhelatin!
T’i thuhet turpë kësaj tragjikomedie në Qeverinë e Kosovës është gjëja më e vogël. Kjo është marrëzi politike, fyerje për viktimat shqiptare të Oliver Ivanoviqit dhe shkelje e gjakut të dëshmorëve.
Mbase nuk është hera e parë që shohim përulje të liderëve shtetërorë para memorialeve serbe, por është hera e parë që shohim përulje turpëruese të kabinetit qeveritarë për një vrasës të dënuar nga drejtësia vendore për krime ndaj shqiptarëve.
Turpi bëhet akoma më i madh, për faktin se një përulje e tillë u bë në organin ekzekutiv të vendit, që është Qeveria e Republikës së Kosovës!
Ndryshe, ata që nuk munden t’i shkojnë për homazhe Ivanoviqit në Beograd, ritualin ngushëshllues e shprehen në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Targën e këtij turpi, padrejtësisht për së vdekuri e pagoi ish udhëheqësi i UÇPMB-së, i ndjeri Jonuz Musliu, i cili për një “minut” u barazua me Oliver Ivanoviqin!
Përderisa ish kryeministri dhe presidenti aktual i vendit Hashim Thaçi përuljen turpëruese e bëri krejtësisht në mënyrë individuale, kryeminstri aktualë Ramush Haradinaj veprojë edhe më keq se kaq, duke e turpëruar tërë kabinetin qeveritarë.
Në këtë situatë, nuk duhet qëndruar duarkryq, duhet aktivizuar të gjithë mekanizmat kombëtar për të ndihmuar kryeministrin e vendit në tejkalimin e situatës së palakmueshme në të cilen ndodhet.
Dhashtë Zoti, e keqja të përfundojë me kaq!