Tinka Kurti humbet djalin e vetëm

06.02.2018 01:19:18

“Tinkën, ç’e paska gjetë! Nuk i bie dot telefonit nga larg e ta ngushëlloj, nuk kam fuqi. ‘Kam frikë se nuk do të më gjejë djali gjallë kur të vijë’, thoshte ndonjëherë në bisedat tona të shpeshta, dhe fliste, dhe fliste, dhe fliste për Zefin… si nëna për djalin. Sa tepër duken fjalët. I paqes, Zef Kurti!”.

Me këto fjalë ngushëlluese shkrimtarja Flutura Açka bën publike në faqen e saj në Facebook lajmin e kobshëm për aktoren e madhe, humbjen e djalit të vetëm Zef Kurtit. Me profesion aktor, ai jetonte bashkë me familjen jashtë Shqipërisë.

Kjo është një humbje e madhe për artisten e cila vetëm pak javë më parë pati një gjendje jo të mirë të shëndetit. Më 17 dhjetor Tinka festoi 85-vjetorin e lindjes me një ceremoni dedikuar këtij përvjetori nga Teatri Migjeni I Shkodrës.