Tirana dënon sulmin ndaj Muzeut në Maqedoni: Akt Vandal

07.03.2017 16:01:26

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur më sulmin që iu bë Muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (Bitola). Pala shqiptare e dënon dhe shpreh keqardhjen e saj lidhur me këtë ngjarje. Ajo shprehet se një sulm i tillë është bërë pikërisht në një ditë të shënuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e saj dhe dënon sulmin e ditës së sotme ndaj Muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (Bitola), në këtë ditë të shënuar për gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët, – thuhet në reagimin e MPJ-së. – Kërkojmë nga autoritetet e Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal dhe dënimin e autorëve. Sulmet e përsëritura ndaj Muzeut janë dëshmi e kërkesës për mbrojtje më efektive të kësaj trashëgimie të përbashkët nga autoritetet kompetente”.

Më tej në reagimin e saj ministria thekson bashkëpunimin dhe harmoninë mes dy vende. Por nga ana tjetër ministria i bën thirrje palës maqedonase që të mos bien pre e këtyre provokimeve.

“Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, frika, mungesa e informacionit dhe retorika e dëmshme e kohëve të fundit. Dëshirojmë të theksojmë se historia, tradita, gjuha e kultura e popullit shqiptar janë vlerë e shtuar për fqinjët tanë në Maqedoni dhe se ruajtja e tyre tregon vlerat më të larta demokratike e njerëzore. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë”.

MPJ beson “në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë. I bëjmë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të ndalojnë retorikën kundër shqiptarëve, e cila vetëm sa shpërqendron vëmendjen nga problemet reale të vendit, dëmton marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik. I bëjmë thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të mos bien pre e provokimeve por të tregojnë qytetari e maturi dhe të ruajnë besimin se kriza në vend do të zgjidhet në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë” thuhet në reagimin e ministrisë, – mbyllet reagimi për shtyp.​ ​