Tiranë, gruaja denoncon pengmarrjen e bashkëshortit, gjendet i gjakosur

03.12.2016 18:36:06

Më datë 02.12.2016, rreth orës 22:00, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë, se në zonën e njohur si “Uzina e Autotraktorëve”, një shtetas ishte keqtrajtuar fizikisht dhe po mbahej, pa dëshirën e tij në një banesë.

Menjëherë janë dërguar Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, të cilët kanë marrë kontakt me shtetasen M. F., e cila sqaroi punonjësit, se bashkëshortin e saj, shtetasin G. F., e kishte goditur shtetasi Besnik Sylaj dhe po e mbante pa dëshirën e tij në banesë.

Nga ana e Shërbimeve është bërë e mundur hapja e banesës, ku në brendësi të saj nuk është konstatuar asnjë person, por  janë konstatuar disa njolla si ato të gjakut  që dyshohej se mund të ishin të shtetasit G. F.

Sot më datë 03.11.2016, rreth orës 07:00, falë punës policore , në ambientet e ish-Uzinës së Autotraktorëve, është bërë e mundur gjetja e shtetasit G. F., i cili u dërgua në S.Q.U., pasi kishte dëmtime në pjesën e fytyrës dhe të brinjëve, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimit  të Komisariatit të Policisë Nr 1, kanë organizuar punët ku kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë  të autorit të dyshuar,  shtetasin Besnik Sylja, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Shfrytëzim të Prostitucionit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë”.