Tiranë: Identifikohen të rinjtë që terrorizuan qytetin duke qëlluar me armë

03.12.2016 11:05:00

Zbardhen detaje në lidhje me makinën ku udhëtonin disa të rinj që kanë terrorizuar kryeqytetin. Burime nga policia kanë bërë të ditur se telefonata e parë për këtë makinë ka ardhur rreth orës 14:40 dhe më pas makina është parë sërish rreth orës 20:30 minuta të mbrëmjes së sotme.

“Rreth orës 14:40, ka ardhur një telefonatë në numrin e emergjencave 112, se në kryqëzimin e rrugës “Mujo Ulqinaku”, me rrugën e “Kavajës”, në automjetin tip “Alfa Romeo”, dyshohet se personat në brendësi të saj, qarkullojnë me armë zjarri”, thanë burimet zyrtare të Policisë së Tiranës.

Rreth orës 20:30, patrullat “Shqiponjat”, kanë parë makinën në afërsi të ish-restorant Durrësit, të cilët duke përfituar nga mbyllja e semaforit, kanë krijuar pak distancë të mjaftueshme për të braktisur mjetin dhe për tu larguar.

Nga kontrolli i ushtruar në mjet janë gjetur dy doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka identifikuar pronarin e mjetit me inicialet B. K., gjithashtu ka arritur të identifikojë se përdorues i këtij mjeti është edhe i riu me inicialet K. L., 25 vjeç, me precedent penal në fushën e vjedhjes.