Tollumbacja e Kadri Veselit me zgjedhjet: Çka më tej?

24.10.2016 11:22:01

Nga Rexhep Kastrati

Ditën kur AP e NATO-s zbarkoi në Kosovë, për të demonstruar se është e përqendruar për paqen dhe stabilitetin rajonal, Kadri Veseli nëpërmjet pamfletit të Veton Surroit lëshoi provokimin e radhës: zgjedhjet e normalizojnë Kosovën. Pra, ditën kur demonstrohej vullneti i NATO-s për stabilitet dhe normalitet, Kadriu nxjerr zgjedhjet si opcion për normalitet. Pra, mesazhi i mirëseardhjes që kryetari i Kuvendit ua përcolli përfaqësuesve të NATO-s, ishte mesazhi për zgjedhje. Jo vetëm kaq: shumica absolute e mediave dhe e portaleve, u shkrinë fare nga ky mesaazh dhe madje fantazuan edhe situata të ndryshme. Pat hajvan që tha se po kujtojnë se Kadriu po bën hajgare. Nejse, ajo ishte punë hajvani, por duket se edhe mesazhi për zgjedhje po del të jetë punë hajvani, sepse po i kthehet bumerang. Në fakt, Kadri Veseli kur ka folur për zgjedhje, vetëm ka thënë publikisht mesazhin e njëjtë që ua ka përcjellë strukturave të partisë që disa muaj më parë. Mirëpo, nëse strukturave të partisë ua ka përcjell këtë mesazh, ndoshta edhe për të mobilizuar partinë dhe për të mos bërë probleme për ndryshimet kadrovike që bënte pas zgjedhjes së tij kryetar partie, mesazhi për zgjedhje i bërë publik, Kadri Veselin e ka vënë në pozitë të papërshtatshme: tash ose duhet të prishë koalicionin e vendi të shkojë në zgjedhje, o duhet të bartë koston politike të një tollumbace shantazhi. Prishja e koalicionit në këtë kohë do të ishte një veprim që PDK-së në radhë të parë do t’i kushtonte shumë, sepse pas gjithë akuzave publike që komandantë dhe të tjerë i bënë drejtpërdrejt Hashimit dhe Kadriut, pas shumë akuzave që iu bënë edhe nga mediat dhe portalet për inat se ka bërë koalicion me LDK-në, vërtet do të ishte sfidë dhe provokim për qytetarët që të kërkohet vota e tyre. Pra, shkuarja në zgjedhje do të ishte edhe një lloj testi për qytetarët, të cilët do të duhej të përcaktoheshin kundër klanit “Pronto”, ose të mbanin përgjegjësi për rilegjitimin e tij. Po ashtu, pas dëmeve që ia bënë vendit dhe pas profilizimit të tyre si parti anarkiste, partitë opozitare do të duhej të mateshin mirë para se të kërkonin votë për të udhëhequr institucionet, të cilat i kanë sulmuar edhe me armë. Po ashtu, do të ishte edhe sfidë e madhe ballafaqimi me përgjegjësitë institucionale për çështjet që i kanë kundërshtuar: demarkacioni dhe Asociacioni. A do të mund të kenë fuqinë për t’i kundërshtuar më tej, apo do të lëpijnë ato që kanë pështyrë? Dhe çka nëse opozita e nesërme do të sillet si opozita e sotme? Por është sfidë edhe për KQZ-në, e cila do të jetë në pozitë të legjitimojë, ose jo format kundërligjore të kurdisjes së rezultateve zgjedhore. Institucionet e sigurisë, po ashtu, do të ishin para sfidës që të garantonin stabilitetin dhe një proces zgjedhor të rregullt, që nuk do të shoqërohej nga grupe militantësh të armatosur partiakë, por edhe mbi baza etnike. Në këtë kontekst, të parandalojë edhe infiltrimin e grupeve të ndryshme si ai në Mal të Zi. Sfidë e madhe do të ishte edhe për mediat dhe portalet që për inat të LDK-së, zbrazën zorrë e mushkëri kundër Hashim Thaçit dhe PDK-së, për të arsyetuar mbështetjen që do t’ia bëjnë kësaj partie. Dhe gjithsesi ky proces zgjedhor të ketë edhe miratimin dhe mbështetjen ndërkombëtare. Dhe unë dyshoj se ideja e zgjedhjeve mund të ketë mbështetje ndërkombëtare, sepse janë procese të rëndësishme që Kosova ka përpara: në AP të NATO-s u diskutua çështja e ushtrisë, dy-tri ditë më parë. Holanda mirëpriti ligjërisht Gjykatën speciale dhe shumë procese të tjera. Pra, për të pasur zgjedhje nuk është veç çështje e një deklarimi, por edhe një çështje që varet nga shumë faktorë dhe rrethana. Dhe gjithë këto rrethana dhe faktorë, bëjnë që një proces zgjedhor në këtë kohë (zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh) do të vinin në siklet vetë PDK-në: e drejtuar nga ish-shefi i SHIK-ut, do të duhej të kishte konsekuenca, pasi që vota për këtë parti do të ishte legjitimim i shikizimit të saj dhe të politikës në Kosovë. Në këtë kuptim, interesi real i Kadriut do të ishte që t’i jepte vetes kohë për përmirësim imazhi, dhe për të zbutur perceptimin qytetar të tij si ish-shef i SHIK-ut, të përfolur shumë për vrasje politike. Edhe në rastin më të mirë për PDK-në, pra që të dilte fituese, përsëri postin e kryeministrit të Kosovës do ta kishte kryeministri Mustafa, sepse Kadriu mund ta shohë veç ëndërr postin e kryeministrit, po ashtu edhe Ramushi. Pra do të ishte një koalicion si ky, veç eventalisht të përfshihej AAK në Qeveri. Prandaj, edhe kërcënimi me zgjedhje, në fakt është një bumerang, me idenë se mund të trembte LDK-në, por që qetësia dhe siguria e shfaqur nga kjo e fundit, i ka trazuar jo pak ndjesitë shikiste të Kadri Veselit, por jo vetëm të tijat, por edhe të opozitës, Është kështu sepse pavarësisht nga zhurma që po bën, opozita nuk do të donte një ballafaqim me problemet reale tlë vendit, edhe për shkak se tri partitë opozitare dallojnë në nuanca, si dhe nuk kanë kapacitete për t’u marrë me ato probleme. Pra, në praktikë dhe realisht askush nuk i do zgjedhjet, por me to po bëjnë politikë dhe luftë speciale  që partitë bëjnë në raport me Qeverinë.