Tomë Gashi thotë se aktivistët e VV-së po mbahen në arrest për shkak të demarkacionit

28.02.2017 14:52:11

Avokati mbrojtës në rastin e aktivistëve të Vetëvendosjes, Tomë Gashi ka thënë se është e qartë se aktakuza ndaj tyre është politike.

Ai në një konferencë për media pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj aktivistëve të VV-së, Frashër Krasniqit, Adea Batushes, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit, ka thënë se arsyeja e ngritjes së aktakuzës ka të bëjë për lufta mes partive politike për demarkacionin.

“E vetmja arsye për ngritjen e kësaj aktakuze është lufta në mes partive politike që janë kundër demarkacionit, dhe arsyeja tjetër është që një pjesë e deputetëve që janë në pushtet që dëshirojnë të miratojnë këtë marrëveshje, për arsyet të cilat vetëm ata i dinë. Është e qartë se kjo është aktakuzë politike”, ka thënë Gashi, përcjell lajmi.net.

Gashi ka thanë se ndalimi i tyre në arrest shtëpiak sipas prokurorit e parandalon ndonjë veprim të ngjashëm që pengon miratimin e demarkacionit.

“Arsyet e prokurorit për vazhdimin e paraburgimit janë krejtësisht politike”, ka thënë Gashi.

Aktivistët e VV-së akuzohen për sulm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.