Topalli: Dehari shembulli i fundit që shteti është jofunksional

25.11.2016 07:21:36

Në selinë e Parlamentit Europian në Strasburg, gjatë mbledhjes së II-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë, është votuar unanimisht amendementin për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, vlerësoi këtë si një lajm të mirë për Kosovën dhe Drejtësinë, duke thënë që BE-ja ka dhënë një sinjal jashtëzakonisht të fuqishëm.

Në këtë kontekst Topalli përmendi edhe vizitën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë, Boris Johnson, i cili nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka shprehur ngushëllime familjes Dehari, njëkohësisht ka kërkuar që rasti të hetohet.

“Vlen të theksohet që Ministri i Punëve të Jashtme të Anglisë ka shprehur ngushëllime për një të akuzuar për terrorizëm. Kjo flet qartë se sa politik është rasti” ka thënë Topalli në një intervistë në emisionin Ball Për Ball.

Sa i përket kërkesës së Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar për përgjegjësinë mbi vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, e cila nuk arriti të marrë votat e nevojshme, Topalli ka thënë që kjo është një skandal për kuvendin, për shumicën parlamentare.

“Vetë pengimi i debatit në parlament tregon që ka mungesë të vullnetit politik për ta trajtuar këtë rast. Ajo që dihet është se Astrit Dehari ishte në gjumë kur e arrestuan dhe e kthyen në arkivol. Kjo nuk do ndonjë koment për të thënë sa e madhe është përgjegjësia e shtetit. Kjo ka krijuar një ndjenjë tek qytetarët që askush, askund nuk është i sigurt, madje as në burgjet e Kosovës” ka thënë Topalli.

Më tutje deputeti i Vetëvendosjes, tha që vdekja e Deharit ka ngritë një debat të përgjithshëm për sigurinë, përderisa burgosja dhe qëndrimin i tij në burg vlerësoi të jenë bërë për arsye politike.

“Dehari është burgosur për arsye politike dhe është mbajtur në burg për arsye politike. Nuk kanë sjellë as edhe një fakt të vetëm për akuzat për vepra terroriste. Arsyeja pse nuk është marrë në pyetje dhe pse nuk është ngrite padia është pikërisht që nuk ka asnjë fakt. Politika mban përgjegjësinë e plotë që Astrit Dehari ka vdekur në burg” deklaroi Topalli, njofton Klan Kosova.

Në fund deputeti Topalli, tha që suspendimet që janë bërë në lidhje me vdekjen e aktivistit janë formale dhe se qytetarët janë të revoltuar.

“Suspendimet që janë bërë në rastin Dehari janë shumë formale, ndoshta për të hedhur fajin tek dikush. Dy ministri të implikuara në këtë rast nuk kanë marrë as përgjegjësinë morale. Mund të ketë edhe tensionime të tjera varësisht nga qëndrimet e qeverisë dhe kuvendit. Nuk mund të mos e pranojmë që ka revoltë të qytetarëve, organizatave për të drejtat e njeriu dhe shoqërisë civile. Nuk është më fjala vetëm për Astrit Deharin. Dehari është shembulli i fundit që dëshmon që ky shtet nuk është duke funksionuar, që qytetarët nuk kanë të drejta dhe nuk ndihen të sigurt” tha Topalli.