Tottenham ofron 36 milionë euro për yllin e Bayern-it

20.04.2017 16:29:45

Douglas Costa nuk ndihet më pjesë e bërthamës së Bayern-it, kështu që këtë verë pritet të largohet përfundimisht nga Mynihu. Mesfushori brazilian, i transferuar për 30 milionë euro nga Shakhtar Donetsk në verën e vitit 2015, sezonin e kaluar ishte një armë e fortë e trajnerit Pep Guardiola, por me ardhjen e italianit Carlo Ancelotti minutat e tij në fushë kanë qenë me pikatore. Kështu, gjendja e tij e pasigurt te kampionët e Gjermanisë ka bërë që disa klube evropiane të vihen në radhë për të.

Gazeta britanike “The Mirror” shkruan se Tottenham e vlerëson shumë Costa-n, i cili u la në stol në dy çerekfinalet kundër Real Madrid-it në Champions League, dhe se është gati të ofrojë 36 milionë euro për të. Ai, në fakt, me shpejtësinë dhe forcën fizike që ka, mund t’i përshtatej mjaft mirë kampionatit anglez, teksa edhe ekipi nënkampion i Premier League-s premton shumë për të ardhmen. Sakaq, për yllin e Bayern-it thuhet se ka interes edhe Juventus, teksa nuk përjashtohet as kalimi në La Liga.