Tottenhami tri “shuplaka” Man. United, Mourinho drejt lamtumirës

28.08.2018 00:30:04

Jose Mourinho merr një tjetër “shuplakë” në Premier League, pikërisht në përballjen me një rival të drejtpërdrejtë për objektivat sezonalë, Tottenham Hotspur. “Djajtë e Kuq” u mposhtën 0-3 në “Old Trafford”, ku zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, me Lukakun që nuk arriti të shënonte me portën bosh, por me nisjen e fraksionit të dytë pësuan 2 gola brenda dy minuta.

Në të 50-ën topi i harkuar nga Trippier gjeti kokën e Harry Kane, që me armën e tij më të fortë, luftën në ajër, i dha një trajektore të pakapshme topit, 0-1.

Vetëm 2 minuta më vonë Tottenhami e ndëshkoi sërish United me një kundërsulm të shpejtë me protagonist Eriksen nga e majta, i cili pasoi në qendër për Lucas Mouran, goditja e të cili përfundoi në rrjetë. 0-2.

Tre ndërrime brenda pak minuta lojë kreu Mourinho, me Sanchez, Lindelof dhe Fellainin që shtuan forcën sulmuese, por mbrojtja e londinezëve dhe portieri Hugo Lloris e ruajtën të paprekur rrjetën.

Madje 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt Moura shënoi të dytin personal dhe të tretin për londinezët.

Për Manchester United ishte humbja e dytë në 3 javët e para, çka reflektohet me plot 6 pikë diferencë ne Liverpoolin, Tottenhamin, Chelsea-n dhe Watfordin, që kryesojnë renditjen.