Toure refuzon transferimin në Kinë

Toure refuzon transferimin në Kinë

17.01.2017 22:18:49

Yaya Toure nuk është i interesuar për një lëvizje drejt Kinës, tani apo në një ardhme të afërt, dhe do ta mbyllë sezonin me Manchester City, bën të ditur shtypi anglez.

Ditë më parë është shkruar se Toure ka marrë një ofertë prej 500 mijë eurosh në javë, nga një ekip i Super League në Kinë, por burime pranë futbollistit nga Bregu i Fildishtë garantojnë se ai do të qëndrojë në Premier League.

Mësohet së këto oferta kanë ardhur që gjatë verës së kaluar, kur edhe klube të tjera nisin të interesohen për shërbimet e lojtarit. Megjithatë, pasi është futur sërish në planet e trajnerit Guardiola, si nuk ndodhi deri në muajin nëntor, mesfushori Toure ka vendosur ta mbyllë sezonin te Manchester City në “Ettihad Stadium.”

Kontrata e Toure me City përfundon gjatë verës dhe lojtari ka pranuar publikisht se donte ta zgjaste atë, pavarësisht se nga klubi nuk ka ardhur asnjë sinjal. Në fillim të javës Federata Kineze e Futbollit deklaroi se do të vinte një çmim tavan në lidhje me shpenzimet e klubeve. Rekordi i transferimeve në Azi është thyer pesë herë në vitin e fundit dhe aktualisht mbahet nga Oscar, i cili kaloi nga Chelsea te Shanghai SIPG, për 70 milionë euro.

Klubet kineze, në sezonin e ardhshëm, do të mund të aktivizojnë vetëm tre futbollistë të huaj dhe kjo do të kontrollojë importin nga kampionatet e tjera dhe do të përmirësojë futbollin në vendin aziatik. Megjithatë, vetëm në qershor do të mësojmë nëse Toure do t’i shtohet kolonisë së lojtarëve që migrojnë në Kinë.