Tragjedia e Berlinit, zbardhen lëvizjet e terroristit tunizian

26.12.2016 19:16:29

Anis Amri, tuniziani përgjegjës për atentatin në tregun e Krishtlindjes në Berlin, ka lënë gjurmë gjatë lëvizjeve të tij nëpër Evropë.

Pasi kreu atentatin që u mori jetën 12 vetëve, ai kaloi përmes stacionit të Lionit, Part-Dieu, ku bleu një biletë treni për në Milano të Italisë, me ndalesë në lokalitetin Shamberi.

Këtë e tregojnë pamjet e telekamerave të sigurisë të stacionit, të cilat po mbikëqyren imtësisht nga autoritetet. Sipas mediave evropiane, që citojnë burime nga grupi hetimor, blerja e biletës u bë me para në dorë.

Por terroristi nuk ndoqi itinerarin e dytë të udhëtimit, Shamberi-Milano, por u nis nga lokaliteti francez për në Torino përmes linjës së TGV-së.

Në Torino ai qëndroi për dy orë, për t’u nisur më pas drejt Milanos, ku mbërriti në orën 00:46. Më pas, nga Stacioni Qendror udhëtoi në stacionin tjetër, Sesto, duke përdorur një autobus në mungesë të metrosë që në atë orë ishte e mbyllur.

Pikërisht këtu, në orën 3 të mëngjesit ai u ndal për një kontroll rutinë nga policia. Kur agjentët i kërkuan dokumentet dhe të tregonte se çfarë mbante në çantën e shpinës, ai nxori pistoletën, e kalibrit 22, dhe qëlloi. Reagimi i agjentëve ishte fatal për tunizianin.

Tashmë, mbi armën e tij po kryhen ekzaminime balistike nga sektori i anti-terrorit të policisë milaneze, për të verifikuar nëse është përdorur për të ekzekutuar shoferin polak të kamionit të përdorur për sulmin në Berlin.