Tragjedia në Durrës, ekspertiza: Trinjakët ishin karbonizuar tërësisht

21.09.2017 11:30:13

Del ekspertiza paraprake e trinjakëve që u dogjën pasditen e djeshme në banesën e tyre në Rromanat  të Durrësit. Sipas ekspertëve, tre fëmijët kanë gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë dhe më pas trupi i tyre është karbonizuar tërësisht  nga flakët e zjarrit.

Djegia në trupat e tyre kishte kaluar çdo shkallë. Kanë qenë shërbimet zjarrfikëse ata që gjetën të pajetë 3 vogëlushët në njërën prej dhomave të banesave. Nëna e viktimave kishte dalë nga shtëpi dhe i kishte mbyllur të vegjlit në shtëpi.

Kur është kthyer, ajo ka parë se banesa ishte përfshirë nga flakët dhe fillimisht gruaja ka tentuar që të futet brenda, por nuk ka mundur. Zjarri kishte shkrumbuar gjithçka që ndodhej në dhomën ku ndodheshin vogëlushët.

Është dashur ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse që të shuajë flakët dhe më pas të futen në dhomën e tragjedisë. Nga të dhënat paraprake thuhet se ngjarja është aksidentale dhe se fëmijët po luanin me një shkrepëse të vetëm në banesë. Në fillim morën zjarr perdet, divanet, tapeti  dhe më pas e tërë banesa.