Tragjedia në SHBA, 9 nga 17 viktimat anëtarë të një familje

21.07.2018 11:14:50

Një anije me turistë u mbyt në Table Rock Lake, një liqen në Missouri, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Së paku 17 persona humbën jetën këtë të premte, mes tyre edhe fëmijë. Në momentin e fundosjes, në anije ndodheshim më shumë se 30 persona.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vijim. Por ngjarja bëhet edhe më e tmerrshme me identifikimin e viktimave, nga ku mësohet se 9 prej tyre ishin anëtarë të një familje.

“Barka e rosës”, siç njihet gjerësisht ky mjet, po transportonte 31 turistë në liqenin Table Rock, në afërsi të qytezës turistike Branson, kur u përmbys. Moti i keq mbi liqen duket se kontribuoi në mbytjen e mjetit lundrues, por hetimet ende nuk kanë nisur, pasi autoritetet lokale janë përqendruar në gjetjen e 5 personave të humbur. 7 pasagjerë të tjerë të barkës u dërguan në spital me plagë serioze.

Autoritetet lokale thanë se banorët e zonës ishin lajmëruar për motin e keq, por duket se barkat turistike vazhduan gjithsesi me programin e tyre. Fatkeqësisht, njëra prej tyre nuk mundi t’ia dalë.