Transformimi i FSK-së në FA pa bashkërendim me SHBA e NATO-n i rrezikshëm për Kosovën

24.01.2018 12:14:49

Nga Fadil Kajtazi

Edhe sikur Kosova të “lundronte” në kushte normale politike, procesi i transformimit të FSK- se në ushtri do të merrte një kohë e cila do të kërkonte se paku pesë vite. Ne radhe të pare kjo lidhët me kuadrin komandues, nënoficer dhe oficer, për të cilin vendet e NATO-se kanë standarde të cilat i aplikojnë në mënyrë strikte. Kjo ka të bëj me shkollimin të kuadrit komandues sipas kritereve të aplikuara në akademitë te tyre. Në rastin e Kosovës, ky kuadër është në përgatitje e sipër, kadetët e FSK po përgatiten sipas standardeve të vendeve të NATO-së në akademinë tonë dhe po specializohen në akademitë me prestigjioze të vendeve te NATO-se. Ky kuadër i aftësuar, tani ka arritur nivelin e gradës  major dhe deri sa ta zëvendëson kuadrin e pakualifikuar që ndodhet në FSK deri në nivelin e gradave të gjeneralit, transformimi i FSK-se në ushtri nuk do të ndodhë, se paku jo me bekimin e SHBA-ve dhe NATO-se.

Transformimi eventual në mënyrë të njëanshme do te komplikonte gjerat, dhe një ushtri pa aleat, do te jete e pa dobishme për faktin se në radhe të pare ne nuk do të përballonim financiarisht krijimin e një ushtrie e cila do të ishte efektive për të krijuar frenim dhe mbrojtje të agresorit eventual siç është Serbia.

Nëse ndodhë transformimi i njëanshëm, kërkohet që njëkohësisht të ngriten struktura dhe të bëhet furnizimi me pajisje të Ushtrisë së Kosovës në mënyrë të shpejte, nga se çdo veprim pa miratimin e SHBA-ve dhe NATO-së, nënkupton ngritje të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke u “mbështetur në forcat e veta” sipas parullës komuniste të Shqipërisë.

Në radhë të parë, SHBA nuk do të lejoj deri në momentin e fundit që të ndodhë degradim i këtyre përmasave, mirëpo situata politike në nivel global, ku probabiliteti për përdorimin e armatimit bërthamor është rritur më shumë se gjatë Luftës së Ftohët (konflikti SHBA Kore Veriore), politika agresive ruse drejt vendeve të Ballkanit dhe programi bërthamor iranian, shtojë gjasat që SHBA të lodhen më problemet e mëdha që po i bënë Kosova e vogël dhe interesimi i SHBA për Kosovën të venitet.

Jam mese i sigurte se në Kosove ka forca politike të cilat e duan vendin dhe nuk do të lejojnë që gjerat të arrijnë deri ne ketë nivel, por për ata që po tentojnë t’i degradojnë marrëdhëniet me NATO-n dhe SHBA, duhet të din se kjo është një sfide e pa përballueshme.

Faktori i parë që Ushtrinë e Kosovës e bën të pa dobishme, pa mundësi të krijimit të kapaciteteve të mjaftueshme frenuese dhe mbrojtëse, nëse ajo formohet njëanshëm është ai financiar. Për t’i ndenjur karshi agresionit eventual serb njëanshëm, pa aleat që sot i kemi, duhet që së pari të krijohet ekuivalenca në forca; sa për krahasim, Serbia posedon kapacitete të artilerisë klasike me larghedhje deri ne 32 kilometra (obusi i sistemit  NORA-A (M84), dhe Nora B-52 në kal. 155) dhe detyrimisht ne do të jemi të obliguar që të kemi ekuivalentin e tij dhe të formojmë se paku katër regjimente të këtij niveli, tre aktiv dhe një në rezerve nëse kihen parasyshë tre drejtimet mësymëse serbe (siç ata i kanë ndarë, Ibarski, Merdarski dhe Moravski). Një bateri e regjimentit minimum duhet të ketë 4 gryka, dhe një regjiment se paku tre bateri që bëjnë 12 gryka, që ne total i bie për katër regjimente 48 gryka. Në rast të transformimit të koordinuar me SHBA dhe NATO, dhe duke e marrë për bazë dekretin e presidentit Bush për lejimin e blerjes së armatimit për Kosovën në SHBA, ne do te furnizoheshim me obusin amerikan M-777, i cili përafërsisht, për një gryke kushton mbi 6 milion euro. Një ftohje e marrëdhënieve me vendet e NATO-se nënkupton se Kosova automatikisht përjashtohet nga lista e blerjes se sistemeve në këto vende, dhe në vend se këto t’i marrim me kredi dhe donacion, duhet te orientohemi ne vende e treta dhe atë me kushtin qe ato na e shesin. Hipotetikisht, duhet të marrim sistemin Izraelit ATMOS-2000, i cili gjithashtu kushton mbi 6 milion. Pastaj me shpejtësi duhet te formohen edhe katër regjimente tw mbrojtjes kundërajrore që përpos sistemeve të raketave duhet te posedojnë edhe regjimentet e sistemit elektronik për vëzhgim, identifikim dhe lajmërim ajror, i cili gjithashtu është i shtrjet. Ne anën tjetër në mënyrë të shpejt duhet të formohen katër brigada tw forcave tokësore, tri prej të cilave do të jenë të gatshme për ta përballuar mësymjen e forcave serbe në tri drejtime dhe njëra në rezerve. Këto brigada gjithashtu në mënyrë të përshpejtuar përpos armatimit personal duhet të pajisen me armatim shtesë nga niveli i togës: për çdo togë një grykë mobile kundërblinduese; për çdo kompani një toge e artilerisë me mortaja 80 mm.; dhe një toge e mbrojtjes kundërblinduese me sisteme reaktorë vetëdirigjuese apo të dirigjuara. Gjithashtu në kuadër të çdo batalioni duhet një bateri e mortajave 120 mm, dhe se paku nga 3 deri në 6 gryka mobile të raketave vetëdirigjuese me infra të kuqe për të neutralizuar aviacionin dhe helikopterët në fushëbetejë. Të gjitha këto, me rezerva municioni për 15 dite luftimi, nuk i përmbyllin dy buxhete të Kosovës.

Siç po shihet, politikat aventuriere të kryeministrit, kryetarit të kuvendit dhe kryetarit të Kosovës, kanë humbur besimin te partneret perëndimorë dhe kanë filluar ta izolojnë vendin. Ne ketë atmosferë izolacioniste të lidershipit Kosovar, vështirë se munde të ndodhe një bekim për transformimin e FSK-se. Për momentin FSK, ashtu siç është e strukturuar dhe vetëm me një ushtarë të SHBA-ve në Bonstill, i ofron mbrojtje Kosovës me shumë se sa me një ushtri siç po pretendon të krijon lidershipi aktual kosovar.