Tre dëshmitarë në gjykimin e deputetit Osmani për privatizimin e “FAN”-it

18.02.2018 23:57:45

Në gjykimin e deputetit Naser Osmani si dhe shtatë personave të tjerë, të cilët janë të akuzuar në lidhje me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë, u dëgjuan dëshmitarët Njazi Jonuzi, Driton Zymeri e Visar Morina.

Jonuzi gjatë dëshmisë së tij kryesisht u pyet në lidhje me raportin të cilin e kishte hartuar rreth auditimit të ndërmarrjes “FAN”.

I pyetur nga avokati Florent Latifaj se çfarë kushteve ligjore duhet që të përmbushë një auditor për t’iu vazhduar licenca, dëshmitari tha se si kritere kryesore janë që auditori atë vit duhet të ketë të përmbushur numrin prej 15 javëve auditim si dhe 24 orëve edukim të vazhdueshëm.

“Auditori duhet të përmbushë dy kritere kryesore, një kriter është se atë vit duhet të ketë 15 javë auditimit dhe 24 orë edukim të vazhdueshëm profesional dhe kuptohet të mos ketë lëshime në aspektin e kodit të etikës”, tha dëshmitari.

Tutje avokati e pyeti dëshmitarin nëse është e mundshme që një auditori ligjor të mos i vazhdohej licenca nëse komisioni për kontrollin e cilësisë e vlerëson punën e auditorit si jo të kënaqshme.

Dëshmitari tha se atij nuk i kishte ndodhur asnjëherë që të mos i vazhdohej licenca.

Ai deklaroi se procedurat që auditori është dashur të aplikojë rreth ndërmarrjes “FAN” të Podujevës kanë qenë të caktuara me tender dhe me kontratë.

Njazi Jonuzi duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit Latifaj rreth procedurave të auditimit të ndërmarrjes “FAN” u pajtua se puna është kryer në bazë të standardeve ndërkombëtare.

“Edhe kjo qëndron se ne në raportin tonë e kemi prezantuar gjendjen që e kemi parë në terren që është kërkesë e standardit dhe kontratës për të cilën po bëjmë fjalë”, tha Jonuzi.

Më pas dëshmoi Driton Zymberi që u pyet nga prokurorja Fikrije Fejzullahu se a njihte të akuzuarin Agim Deshishku.

Zymberi tha se e njihte Deshishkun, ngase tregoi se ka blerë prej tij armaturë dhe gjëra tjera për ndërtim.

Prokurorja më tutje e pyeti Zymberin se a i kishte shitur një kamion Deshishkut. Dëshmitari nuk e mohoi këtë shitje, duke konstatuar se kishte levërdi për këtë gjë.

Prokurorja ia kujtoi dëshmitarit deklaratën në polici për kamionin gjatë së cilës Zymberi kishte thënë se ishte pronar vetëm me letra i këtij mjeti.

“Me sa më kujtohet ka qenë në pyetje një kamion DAF i cila kurrë nuk ka qenë pronë reale e imja mirëpo me sa më kujtohet ne vitin 2007 me ka thirre Ekrem Deshishku dhe me ka thënë që ta qes një kamion në emrin tim. Nuk e di se në emër të kujt ka qenë ai kamion por pasi që ma kanë qit në emrin tim në një kohë shumë të shkurtër Ekremi më ka thënë ta boj një kontratë tjetër gjoja se po ja shes fabrikës ‘FAN’”, kishte thënë dëshmitari në polici, shkruan Kallxo.com.

Dëshmitari nuk e mohoi deklaratën, por u përgjigj negativisht nëse ishte paguar për kamionin në emrin e tij. Dëshmitarit nuk iu kujtua nëse kishte marrë mall si shpërblim për këtë çështje.

Si dëshmitar u dëgjua edhe Visar Morina I cili kishte qenë në pozitën e drejtorit të kompanisë ”Grandthorton”, i cili tha se në atë periudhë sa kishte qenë drejtor në këtë kompani përgjegjësi e tij kishte qenë të merrej vetëm me zhvillimin e biznesit dhe tha se ai nuk ishte marrë asnjëherë me asnjë dokument të FAN-it.

“Sa i përket auditimit aspak nuk kam qenë asnjëherë në ‘FAN’, asnjë dokument i ‘FAN’ nuk ka kaluar nëpër duart e mia”, deklaroi dëshmitari.

Me këtë gjë tha se ishte marrë eksperti maqedonas Marian Andonov.

Naser Osmani e Bahri Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime Prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN”, akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.