Tre musketarët” kamikaz, dhe ideja e “korigjimit”

06.09.2018 15:39:48

Nga Fadil Maloku

Të premten më 7 shtator do takohen në Bruksel trojka Mogherini-Thaçi-Vuçiq, për të finalizuar projektin e negocimit, që si mentor ka Xhorxh Sorosin. Ndërkaq, është produkt i një organizate joqeveritare serbe me emrin CAES. Në bazë të rekomandimeve të kësaj, nuk ka asnjë dyshim që këtë herë negocimi do të fokusohet në idenë e ‘korrigjimit të vijës kufitare’ ose thënë më troç për shkëmbimin e territoreve.

Së pari, do të shpaloset në Bruksel, drafti i parë i marrëveshjes ‘historike’ në Bruksel, pa asnjë garancion të brendshëm si Kuvendi, Qeveria, etj. E as të jashtëm si, Amerika e Gjermania. Kjo do të thotë se bëhet një pazar rreth çmimit për idenë e këmbimit nga ana e tre musketarëve ‘kamikaz’ alias, trojkës Thaçi-Rama-Vuçiq.

Së dyti, çka është e rëndësishme të dihet në gjithë këtë pazar, ‘ala Esad Pashë toptançe’, që sipas gjitha gjasave nuk do ketë njohje reciproke, ashtu siç u fol e përfol nga presidenti Thaçi me miqtë tanë të interesit e gjeostrategjikë.

Së treti, nuk do ketë as mosbllokim, që e foli e përfoli Vuçiqi e Thaçi, në pothuajse në të gjitha prononcimet publike, për atë ‘ulësen’ e famshme në OKB. Por, ajo që shihet sipas gjykimit tim do ketë thjesht injorim apo abstenim nga Serbia dhe aleati i saj shekullor Rusia.

Së katërti, përveç katër komunave dhe dy resurseve kryesore – liqeni i Ujmanit dhe pasuritë miliardëshe të Trepçës – serbëve 80 për qind të mbetur në shumicë etnike, në pjesën jugore, do u ri garantohen dhe ruhen tapitë e për ekstrateritoralitet të Kishave Serbe, kopili i mbetur tjetër në derë!?

Së pesti, decentralizimi, mendoj që është një tjetër pikë për serbët e mbetur në jug të Kosovës, ku do vazhdoj kacavjerrur edhe më tej të qëndroj sikurse shpata e Demokleut mbi territorin edhe më të rrudhur në këmbim të heqjes së vendeve të garantuara ahtisiriane.

Së gjashti, për ngushëllim dhe për kënaqësi moralo-politik, po edhe për ndihmesën e Thaçit, si shpërblim dhe shenjë të vullnetit të mirë, të vendeve të garantuara për minoritetin serb më super diskriminues pozitivisht në botë do të hiqen. Që për dy dekada tëra lozën kalit të Trojës. Pra, pengesës kryesore që Kosova të shndërrohej një shtet normal dhe demokratik.

Së shtati, çka është më e keqja në gjithë këtë projekt famëkeq, kufizimet për mosbashkim me Shqipërinë do mirëmbahen me vigjilencën afatgjatë të miqve dhe aleateve tanë historik.