Tre shtete në “luftë”, Alvini në mes…

07.11.2019 17:19:24

Pas shumë vitesh fëmija Alvin Berisha, foto e të cilit është publikuar thuajse në mediat e gjysmës së botës doli nga kampi sirian dhe u bashkua me familjen e tij. Procedurat e gjata, mes të cilave edhe diplomatike kanë zgjatur, por më shumë është dashur një ndërhyrje shtetërore italo-shqiptare. Vetëm në momentin kur çështja e Alvinit u bë publike dhe në Siri mbërritën autoritete të larta, ai doli nga kampi i ferrit në Al-Hol.

Por për të arritur deri këtu, duhet thënë se dy shtetet Italia dhe Shqipëria patën një përplasje deklaratash. Këto deklarata u ashpërsuan në momentin kur lajmi mori “dhenë” dhe u publikua në emisonin “Le Iene” në Itali.

Autoritetet shqiptare në përpjekje për të mos pranuar neglizhencën për këtë rast, u munduan ta “veshin” operacionin me vështirësi më të mëdha se ç’kanë qenë në të vërtetë.

Ndërsa autoritetet italiane e thanë shkoqur, se së pari ishte detyrim i Qeverisë së Shqipërisë një ndërhyrje shtetërore, sepse familja e Alvinit kishte shtetësinë shqiptare.

Por Italia e tregoi dhe lëvizi të gjithë “gurët” për të shpëtuar Alvinin, si një fëmijë që ka lindur në Itali, por me prindër shqiptarë, pra juridikisht me dy nënshtetësi, sepse djaloshi 11 vjeçar i Afrim dhe Valbona Berishës rezulton i regjistruar edhe në Shqipëri.

Gjithsesi, operacioni që ishte kompleks zgjati vetëm 5 ditë dhe për fat të mirë Alvin Berisha u bashkua me të atin dhe motrat. Nëna e tij u vra në Siri.

Dhe mes Shqipërisë e Italisë që arritën të kenë sukses në rastin e Alvinit, krejt ndryshe ka vepruar Kosova, e cila ka mundur të kthejë që prej muajit prill të këtij viti rreth 110 gra dhe fëmijë që ndodheshin atje.

Kosova ka vepruar shpejt dhe duke përdorur në lartësinë e duhur të gjitha instancat diplomatike, njw kusht ky i grupeve militante siriane qw mbajnw tw bllokuar kampin e Al-Hol. Kjo ka bërë që Kosova të sheshojë çdo burokraci qoftë kjo edhe shtetërore dhe të bëhë të mundur, ashtu sikurse ka deklaruar edhe 35 persona të tjerë gra dhe fëmijë të larguar që prej 5 vjetësh në Siri.

Por duket se modeli i Kosovës nuk vlen për Shqipërinë, e cila ka hapa tejet të ndadaltë për të riatdhesuar edhe 51 fëmijë të tjerë shqiptarë, 20 prej të cilëve të lindur në territorin sirian.

Në 2014, në Siri u vra Shkëlzen Dumani, një shqiptar nga Peshkopia, ndërkohë që mbetën në kamp fëmijët e tij Eva dhe Endri Dumani, asokohe 8 dhe 9 vjeç. Dumani kishte disa muaj që ishte në Siri dhe luftonte me xhihadistët. Viktima ishte në kërkim nga Krimet e Rënda edhe për rekrutime të shqiptarëve për t’i çuar në Siri për të luftuar kundër qeverisë së Assad.

Një vit pas Dumanit do të ekzekutohej në Siri një tjetër shqiptar. Ervin Hasanaj u vra nga organizata ekstremiste islamike e Shtetit Islam, ISIS. Ai ishte larguar drejt Sirisë që prej vitit 2013 së bashku me familjen e tij. Pas vdekjes së Hasanajt, familja e tij u mbajt peng në Siri. Ai la pas dy vajzat e tij të mitura Fatime dhe Esma Hasanajn, 4 dhe 2 vjeç.

Edhe këta fëmijë kanë fatin e keq të Alvinit të jenë të izoluar. Por nëse djaloshi pati fat, se ndërhyri shteti italian dhe u bë mjaft zhurmë, për fëmijët e shtetasve shqiptarë “plani qeveritar” i Shqipërisë mbetet larg.