Tregim nga Fatmir Terziu

03.10.2019 14:02:54

Të gjithë tashmë prisnin ndryshimin. Përtej zërave në Ushkur cikli i mbylljes po pritej të mbyllej në ciklin e hapjes. Për këtë shëtitësit e paftuar dhe gjendësit e rastit kishin bekuar kapakët e një libri të gjendur këtu e mijëra vite më parë në një nga shpellat më të lashta të këtij artefakti gjeografik të Rruzullit.
– Swap! Edhe këtu ka pasur jetë!
– Swap! Edhe këtu kanë jetuar paraardhës!
Zërat vinin e shtoheshin, sa nga rrjeshti i gjatë dhe i pafund i shëtitësve të paftuar, aq dhe nga rrjeshti më i paktë në numër i gjendësve të rastit. Korri i zërave tregonte se diçka e rrëndësishme po ndodhte, po ndryshonte në ciklin e një vendi të tillë, të lënë disi tek cikli vicioz.
– Cikli vicioz i errësirës?
– Cikli vicioz i vetvetes?
Dhe, sikurse ndodh në raste të tilla, zërat e të dy rrjeshtave shkonin e tejqaseshin tek ata që thyenin heshtjen e këndeve të tyre të mbyllura në divanë, komodina, bufe dhe perde tyli të lehta për xhamat që pasonin tym duhani, djersë të lodhura dhe oshëtimë të strukura në mavijosje brenda një ekrani bardhë e zi. Aty ndodhte rileximi. Aty bëhej ndryshimi, ai që duhej të paktën tridhjetë vite e tridhjetë ditë të kalonte nga libri me kapakë të trashë tek ai me pamjen e një broshure të sponzorizuar nga terma dhe shkurtesa të një liste të madhe që u ngjante titrave të filmave me aksion të Hollyvudit, aq sa të shpjegonte në sipërfaqe intuitën e origjinës së vetë fjalës që i kishte lënë të gjithë ata në ato dy rrjeshta: “Swap”. Shkurtesat e tilla BE, OSBE, KBE, BB, BBE, OKB, FMN… në vetvete kishin a s’kishin të bënin me ciklin, kjo mbetej një mister për Njeriun që kishte tashmë një arsye më të lehtë të linte shkopin diku në muze, aty ku të ndriçuarit e Udhës e kishin quajtur “Bunkart”.
Pikërisht aty rilexohej cikli me shkopin që varej e u duhej sa shëtitësve të paftuar aq edhe gjendësve të rastit të kapnin shkronjëzat e vogla e të dendura që jepnin e merrnin formë sakëlldie për gjysëmshekullin. Dhe aty lexonin e rilexonin me kujdes… pastaj bënin shënime dhe riqasnin mendimet e tyre për ciklin e mbylljes, që mbyllej me ciklin e hapjes. Këtë e ndjeu dhe Njeriu i Deleguar kur e vari dhe e la shkopin aty…
Cikli vicioz i burgosjes më çoi në një rrugë të errët me të cilin i kam shkelur njerëzit deri në rraskapitje. Gjithçka që dua është mendja, trupi dhe shpirti im të mbesin kryendjenja… shkurt të jem i lumtur. Disa netë i kalova në hije duke parë botën që rrotullohej rreth meje. Ndjenja ishte e madhe. Shpërndarja dhe hajdutëria ishte e jashtëzakonshme. E kuptova se kjo ishte arritja ime. Kuptova më saktë se herë pas here nuk do të kisha normalitet. Veshët e mi ishin të akorduar në muzikën e funeralit. Sytë e mi ishin të përqendruar në epsh. Trupi im po kontrollohej nga një fuqi më e lartë.
Kur dola nga kjo akllapi pashë Sendet e varura në tela. Sytë e mi shkonin përtej. Deri në bërthamën ku syri provon të paprovuarën, ndjeva se isha vërtet i gatshëm për të njomur gishtin me pështymë e të ktheja me forcë atë fletë të mallkuar që më kishte lënë perde në sy. E kapërceva. Sytë tashmë rendën të parat në liri. Aty pashë vërtet. Pashë një realitet.
Ishte një lëndinë e madhe, dete nga njëra anë, liqene e lumenj nga ana tjetër, lule, bardhësi,… bukuri. E në të gjithë këtë pamje trosha i takonte ndoshta më kryesores. Ku ndodhesha vërtet në atë kohë? A kishte qumështëri më të patjetërsueshme në vizionin tim? Koka kishte mbetur si një butak mes tërë atij gjoksi të lehtë e të butë. Këmbët ishin shembur nga vendi. Duart mbanin ndër gishta flokë të atilla, sa që më dukej sikur kishte mbetur një mal në mes tyre. Onde dhe onde. Dredhka në buzë të kuqe e të përskuqura nga ajo ndjesi e pafund. Nuk kisha të ngopur. Isha dashuruar? Eh, ku më shkoi mendja menjëherë… Fjala “Swap”? Kisha mbetur i shastisur në krahët e asaj dhurate të bukur nga zyrtarët e Misionit tim në Ushkur. Në krahët e atij busti të ftohtë të Deas së Butrintit nuk e di pse ndjehesha aq … Më tronditi në fakt. Në andejardhjen time kisha pasur një protagonizëm. Dhe atje ishte atje. Po këndej? A do ta kapërceja dot këtë “Swap”, aq më shumë kur në këtë rast ishte një ngjashmëri protagoniste: “Wife Swap?”
Dhe nisi disi të shpërqëndrrohej… të ripërsëriste, pa pyetur për kohën që kalonte e pa e ndjerë zhurmën dhe piskamën e dy rrjeshtave në rrugë, atyre shëtitësve të paftuar dhe gjendësve të rastit. Fundja kujt prej tyre u përkiste? Tashmë kishte përhumbur…
Sytë e ndezur të hënës si retë rozë dhe livando të agimit po veniten, duke shijuar buzët e kësaj “Swap” në formë zemre. Buzë po aq të ëmbla sa mjalti dhe po aq të buta sa petalet e një trëndafili. Fërkimi i këmbëve, gishtërinjtë e saj të bukur ndërsa lahet në ujëra aromatike, flokët kaçurrela natyrale, që rrjedhin poshtë shpatullave të saj aromë të vaniljes, eh… ku e ka kuptimin e madh kjo fjalë…ah e ëmbla. E mira e vështira për … Për mua? Jo, unë pikërisht këtu jam për këtë. Dhe do ta bëj… “Swap!” Duke pushuar në majat e saj me thumb si të diamantit, unë jam mbërthyer nga një grua e kalitur me karakteristika natyrore, hijeshia e së cilës është po aq e këndshme sa një mjellmë. Megjithëse është e jashtëzakonshme dhe magjepsëse në realitet, ajo e vetmuar, kështu që i kalon ditët dhe netët e saj pa princin e dëshiruar. Dhe u shkund. U shkund sikundër shkunden çafkat pas një të lagure të madhe e të gjatë nën ndonjë strehë Kishe, Xhamie, apo Sinagoge. Pra, unë qenkam këtu vetëm për këtë “Swap” për të brendshme femrash. Dhe u vendos i tëri me mjekër, hundë të gjatë, shpatulla e fytyrë të mbushur me djersë të ftohta në dritaren që shikonte fort bukur Kalanë e Vjetër dhe zyrat e reja me xhamllëk të Ushkurit.
Nuk e hapte dot dritaren, edhe pse provoi, pasi zërat e shëtitësve të paftuar dhe gjendësve të rastit gati-gati po shkulnin pllakat nga trotuarët e rrinj.
– Ne duhet të kishim ardhur njëzetë vite më parë?!
– Ne duhet të kishim zbritur vite të tërë më herët?!
Kaq i duhej të dëgjonte e të kuptonte se duhej të zbriste me ashensor nga kati ku kishte ndjerë të praktikonte më shumë me “Swap”.
Kur zbriti pikëtakimi i parë ishte aty ku qielli dhe toka ishin bërë një pikë loti. Në zgufllën e kësaj qelqërie zgjateshin e ridimensionoheshin surretër, nofulldreqër, dalldismenër, ofiqellarë e të tjetë të paparë ndonjëherë më parë.
– Kemi ardhur për të dëgjuar ndryshimin!
– Kemi veshët pisk për këtë arsye!
I dëgjoi të dy rrjeshtat, dhe tërë atë zullumahi të dendur në atë pikë dhe kujtoi se nuk ishte më koha të luante rolin e Osman Gazepit, që e kishte lexuar tridhjetë vjet e tridhjetë ditë më parë. Duhej strategji tjetër. Fundja a nuk është vetë “Swap” një lloj strategjie? Ja ndodh, ja bëhet, ja “Swap” dhe… kalojnë edhe disa vite të tjera.
– Eh, firaun jo më kot je i Deleguar. Jo më kot! – i tha vetes nënzë e me pak zë dhe ia ngjeshi hijes që shkelte tërë sheshin e mbushur nga të dy anët me duart sa lart e poshtë në bekimin nga kaltërsia.
E, që thoni ju, koha tashmë ka ardhur. Ka ardhur dita e madhe. Kur Dielli merr rrugëtimin e Humbur, dijeni se edhe dielli humbet. Kjo më ka ndodhur edhe mua. Jam ndjerë dhe unë krejt i vetëm. Ishte i vetëm në kohë e në pakohë. Kërkoja ndryshim. Ndryshim? Swap i themi ne andej nga trualli im. Aty pastaj fshiva sytë. Pashë të më vinin male të tëra të shkulura nga vendi i tyre e të nguleshin në majat e truallit tim, pashë fusha që shkuleshin e arrinin deri në shtroja të tëra e të gjëra pakufizim, pashë rrjeshta e rrjeshta të mëdhenj njerëzish që ia behnin me një frymë… Dhe i thirra vetes. I bëra një lexim. Deri atëherë kisha harruar të lexoja të vërtetën. Kisha harruar të lexoja vetminë, izolimin, burgosjen, errësirën, dhimbjen, urinë… Isha… Isha edhe unë i vetmuar…
Dhe thoja me veten e vetmuar në vetminë e përhumbjes sime, koha është përgjithmonë kohë dhe ka kohë ende për të urtit? Kjo ishte, është dhe mbetet një pikëpyetje… Mbetjet e të urtit, në një kohë të gjatë pritjeje, mbeten të hedhura në plehëra dhe për ta edhe koha është e zhdukur. Koha e tillë është e ftohtë. Këtu dhe shpirtrat ndahen. Edhe shpirtrat janë vetëm për të qëndruar bosh dhe janë vetëm për shitje … Deri në takimin tjetër le të presim nëse pajtoheni me “Swap”.
– “Swap” edhe në Ushkur?!
– “Swap” edhe në Ushkur?!
Habia e tretë nuk u dëgjua më aq qartë në atë korr të të dy rrjeshtave të parë. Duhej durim dhe pritje. Por sa kohë vallë për … për këtë swap të paparë?