Trekëndëshi makabër: politikë-medie-shoqëri civile vrasës i luftëtarit dhe policit, Izet Demaj

29.12.2018 19:50:08

Nga Rexhep Kastrati

Pas vrasjes së policit Izet Demaj, i cili ka qenë edhe një nga luftëtarët në betejën e Koshares, dikush u kujtua që të përmendte edhe përkatësinë partiake të vrasësit të tij.

Nxitimi për ta theksuar përkatësinë partiake të vrasësit, duket se është pjesë e një qasjeje skajshmërisht instrumentalizuese në funksion të politikës ditore, përkatësisht në funksion të bartjes së qendrës së krimit në VV-në, e cila në fakt, nuk është asgjë tjetër, pos një hije e qendrave të tjera të krimit, ndër to edhe ato që lidhen me SHIK-un.

Pas një deklarate të Hashim Thaçit se mbrapa “Syrit të Popullit” qëndron Albin Kurti, theksimi i përkatësisë partiake të vrasësit të Izet Demajt, veçsa e bën më të qartë dhe më të kuptueshme atë që sapo thashë më lart, kurse nëse merret parasysh afërsia apo njëjtësia politike e medies që e bëri publike perkatësinë partiake të vrasësit me Hashim Thaçin, atëherë ka arsye për të besuar se bëhet fjalë për një përfshirje të qarqeve të larta politike në rivendosjen e qendrës së krimit në Kosovë.

A ka të bëjë kjo me faktin se tashmë janë intervistuar personat e parë nga Prokuroria speciale e Dhomave të Posaçme, apo me përpjekjen për të shpërqëndruar vëmendjen e opinionit nga vrasjet politike të personaliteteve të rëndësishme të LDK-së, të linjës institucionaliste në përgjithësi, kjo ka pak rëndësi, sa ka rëndësi fakti se është trekëndëshi makabër: politikë-medie-shoqëri civile, që bart gjithë përgjegjësinë për krijimin e një ambienti të favorshëm për krimin në përgjithësi, e për atë me ngjyrime politike në veçanti.

Moszbardhja e vrasjeve politike të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, përdorimi politik që u është bërë atyre vrasjeve për qëllime zgjedhore, ndërlikueshmëria e këtyre vrasjeve, si dhe dobësimi i vazhdueshëm i LDK-së, përkatësisht largimi i saj nga identiteti dhe filozofia politike rugoviane, kanë krijuar logjikën e pandëshkueshmërisë së krimit, si dhe ka krijuar perceptimin e kthyer në bindje se institucionet janë të paafta dhe të dobëta për të luftuar krimin.

Në anën tjetër, heshtja gjatë viteve e shoqërisë civile përballë vrasjeve politike të kryer gjatë dhe pas luftës, e për më tepër heshtja mediale përballë vrasjeve të tilla, në njërën anë, si dhe përpjekja për të komprometuar karakterin politik të tyre nëpërmjet individëve dhe konstruksioneve të ndryshme, vetëm sa kanë bindur se shoqëria civile dhe mediet janë vetëm pjesë e një sistemi kriminal që përbëjnë atë që unë quaj trekendësh makabër: politikë-medie-shoqëri civile.

Ky trekëndësh makabër, ndërkaq, u pa më qartë, dhe u kompletua gjatë viteve 2015-2017, kur politika përdori VV-në për të institucionalizuar sjelljen kriminale, anarkiste dhe rikthimin e perceptimit të institucioneve të Kosovës, si të ishin institucione të Milosheviqit. Njëkohësisht me këto, pat një përfshirje të fuqishme të medieve dhe shoqërisë civile për heroizimin e VV-së, prandaj, edhe të sjelljeve kriminale, anarksite dhe të perceptimit të institucioneve të Kosovës si të ishin të Milosheviqit. Të lëndoje policët, një pjesë e të cilëve kishin qenë edhe luftëtarë kundër forcave serbe, ishte akt heroik dhe patrotik, pasi që për ta ishte krijuar perceptimi se ishin si policia e Milosheviqit; t’u vije flakën institucioneve të shtetit, ishte akt heroik dhe patriotik, sepse për to ishte krijuar perceptimi se ishin si të Milosheviqit. Perceptimi për patriotizmin, ishte perceptimi për VV-në, kurse modeli i patriotizmit, ishte modeli që shpërfaqte ajo.

Më parë, kjo mënyrë e veprimtarisë kriminale ishte zbatuar kundër presidentit Rugova dhe LDK-së, përkatësisht kundër linjës institucionaliste në përgjithësi, pasi që perceptimi për patriotizmin ishte perceptimi për linjën e Tiranës/Kretës në krye me Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Kadri Veselin etj., kurse modeli i patriotizmit ishte modeli që shpërfaqte ajo linjë.

Pra bëhet fjalë për të njëjtën logjikë dhe metodë, por tashmë është tendenca që qendër e krimit të identifikohet VV, dhe ajo të konsiderohet sikurse SHIK-u më parë. Së këndejmi a po provohet që VV të shndërrohet nga një sektë okulte, në një instrument kriminal që të përdoret për qëllime kriminale dhe kundërshtetërore?

Parë në aspektin ontologjik të VV-së, ajo dhe paraardhësja e saj, KAN, janë dërtuar si lëvizje anarkiste, të dhunshme dhe destruktive, prandaj, elementi kriminal dhe agresiv, qasja kundërinstitucionaliste qëndrojnë në identitetin e saj ontologjik. Kurse lartësimi medial dhe nga ana e shoqërisë civile i saj si shpresë për të ardhmen, heroizimi i sjeljes anarkiste, të dhunshme dhe agresive që bënte VV-në, vetëm sa kanë fuqizuar indoktrinimin dhe rrëshqitjen e saj drejt një sekte kriminale.

Çështje shumë interesante është se përse dje lartësohej dhe heroizohej sjellja e dhunshme, agresive dhe anarkiste e VV-së, dhe përceptimi për patriotizmin i bazuar në ato sjellje, e që ka kontribuar fuqishëm në betonimin psiko-social të modelit të krimit si model patriotik, që shpërthen si në rastin ndaj policit Izet Demaj, dhe përse po bëhet gjithçka që të shquhet karakteri kriminal i VV-së sot?

A bëhet fjalë këtu për një tendencë për të futur çarje ndërmjet LDK-së dhe VV-së që refuzuan të votojnë pro rezolutës së PSD-së, apo bëhet fjalë për një formë të shpërfaqjes së luftës brenda llojit, kjo mbtetet të shihet!