Dikush po konsideron se treni ishte veç një paralajmërim dhe se pas tij, do të nis skenari i vërtetë i Serbisë për veriun e Kosovës.
Deputeti i pavarur Ilir Deda, thotë se Serbia ka qëllime për veriun e Kosovës, sikurse Rusia ndaj Krimesë së Ukrainës.
“Kërcënimi i Vuçiqit me ‘paralajmërimin për herë të fundit, që nëse serbët e Kosovës sulmohen atëherë Serbia do t’i mbrojë ata’ është paralajmërim, qëndrim dhe qëllim i Beogradit dhe aleatëve të tij për scenarion e Krimesë për veriun e Kosovës”, shkruan Deda.
Ai bën thirrje për unitet që të përballohet sipas tij, kjo sfidë e madhe.
Njëjtë ka komentuar edhe analisti Nexhmedin Spahiu nga Mitrovica.
Duke komentuar ndaljen e trenit “rus” që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës, Spahiu, përmes një postimi në Facebook ka thënë se “loja e vërtetë fillon pas kësaj”.
“Ndalja e trenit është OK po mos u hallakatni se kjo është vetëm paraloja. Loja e vërtetë fillon pas kësaj”, ka shkruar Spahiu në Facebook.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se po vëzhgon nga afër situatën e krijuar ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa ka bërë thirrje që të ulen tensionet.