Trepça na bashkoi me pozitën, por jo edhe demarkacioni, tha Haradinaj

09.10.2016 16:11:46

Të bashkuara për ta kundërshtuar versionin aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit, dy partitë opozitare AAK dhe Nisma u treguan unifikues me koalicionin qeverisës PDK-LDK, në votimin pro Ligjin për gjigantin metalurgjik, Trepça.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj në një prononcim për “Indeksonline” thotë se ishte opozita që kishte nxitur nxjerrjen e një ligji të veçantë për Trepçën, derisa Demarkacionin e konsideron krejt çështje tjetër.

Sipas tij, kjo çështje është e dëmshme për Kosovën dhe për të njëjtën nuk duhet të ketë asnjë kompromis.

“Demarkacioni është një çështje krejt tjetër kurse Trepça është diçka tjetër. Kjo ka qenë e nxitur edhe prej vet opozitës që të ketë një ligj të veçantë. Në asnjë formë, me asnjë kompromis nuk guxojmë ta dëmtojmë territorin e Kosovës”, është shprehur ai.

Më tej, Haradinaj ka thënë se opozita ka bashkëpunuar dhe e ka udhëhequr procesin e kundërshtimit të kësaj Marrëveshje. Ai ka thënë se kundërshtimi do të vazhdojë deri në përmbysje të marrëveshjes, deri sa ka shtuar se do të bashkëpunohet me të gjithë deputetët që kanë vullnet ta kundërshtojnë versionin aktual të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Demarkacioni dihet që është një marrëveshje e dëmshme për Kosovën dhe si e tillë do të kundërshtohet deri në përmbysjen e saj. Jo që qëndrojmë bashkë, por ne e udhëheqim këtë proces prej fillimit. Unë mendoj që është obligim jo vetëm i opozitës, por i të gjithë Parlamentit. Neve kemi bashkëpunuar dhe kemi me bashkëpunu me të gjithë deputetët që kanë vullnet ta kundërshtojnë këtë marrëveshje”, është shprehur ai.