Treshja shkatërrimtare, Thaçi, Veseli, Haradinaj, dhe pazaret me Serbinë në dëm të Kosovës

28.02.2018 13:43:42

Nga Rexhep Kastrati

Hashim THaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj kanë rënë në gjunj për të satën herë para listës “Srpska” për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, e që gjithsesi ka pazaret brenda, duke thelluar dëmet që i janë bërë Kosovës.

Deri më tash dihet se Serbia drejtpërdrejt dhe nëpërmjet listës “Srpska” ka kushtëzuar votën për Demarkacion me Asociacionin sipas Marrëveshjes së Brukselit, pa vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Shpejtësia e futjes në diskutim në Bruksel e çështjes së Asociacionit në kontekst të votimit të Demarkacionit, është një dëshmi tjetër e vazalitetit dhe e nënshtrimit të klasës politike të Kosovës ndaj Serbisë.

Pranimi eventual i kushtëzimeve serbe do të ishte shkatërrimtar për Kosovën, sepse përfundimisht do të legjitimpnte pazaret në dëm të Kosovës që janë bërë gjatë viteve dhe që do të mund të bëhen në vijim. Pa shkuar më thellë në kohë, mjafton të përmendet një pazar që Hashim Thaçi ka bërë me Serbinë për transformimin e FSK-së në FA gjatë vitit 2013-2014, e cila po del se ka qenë pazar për themelimin e Asociacionit si kusht për votën e listës “Srpska” për këtë transformim, me mundësi që të realizohet edhe kushti tjetër që brenda FA-së të ketë një strukturë ushtarake serbe që do t’i përgjigjej Asociacionit, sikurse struktura komanduese e Policisë. Lidhur me këtë çështje, Hashim Thaçi kishte akuzuar Isa Mustafën se nuk kishte dhënë pëlqimin për vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvend, dhe ka penguar transformimin e FSK-së në FA. Se është kështu, dëshmon edhe fakti se Hashim Thaçi kishte paraqitur një nismë ligjore për FSK-në në marrëveshje me Vuçiqin, por jo me kryeministrin Mustafa.

Një vazalitet dhe pazar tjetër është bërë edhe me rastin e themelimit të Qeverisë aktuale që unë e kam quajtur Qeveria Haradinaj – Gjuriq, për shkak të varësisë absolute nga Beogradi nëpërmjet listës “Srpska”. Përveç pazareve të tjera që janë bërë gjatë negociatave për formimin e Qeverisë në fjalë, e që janë pazare për Asociacionin dhe për FSK-në sipas kushteve dhe interesave serbe. Është i freskët momenti kur Kuvendi i Kosovës priste listën “Srpska” për të ardhur nga Serbia për ta votuar mandatarin për kryeministër dhe propozimet për zëvendëskryeministra e ministra.

Edhe sot është e njëjta situatë kur po pritet lista “Srpska” për të dhënë votën pro Demarkacionit, por me një çmim shumë të rëndë për Kosovën: Asociacionin sipas Marrëveshjes së Brukselit pa vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Me gjasë, sot lista “srpska” po ua rreh vendin Hashimit, Kadriut dhe Ramushit dhe oi u kërkon garanci dhe siguri se në të ardhmen nuk do të guxojnë të ndërmarrin diçka pa e pyetur Vuçiqin. Pra, po u kërkon garanci se kjo treshe do të sillet sipas pazareve të bëra më herët në dëm të Kosovës, e që mundësojnë faktorizimin maksimal të Serbisë në Kosovë, që të mos kundërshtohen kërkesat e tyre dhe të mos guxojnë të ndërmarrin diçka që nuk i pëlqen Serbisë.