Trevjetori i shkuarjes në amshim i atdhetarit, humanistit dhe idealistit Riza Lluka

25.11.2017 12:37:06

Nëntorët janë muaj të ftohët, por edhe muaj që na kujtojnë data e ditë të veçanta e me peshë. Ditë të madhërisë e krenarisë, të dhembjes e lavdisë. 

Na sillen në kokë njerëz të dashur e figura të mëdha, që fatet e tyre jetësore i ndanë me vuajtjet dhe gëzimet e populli të vet, kurdoherë.

I tillë, ishte Riza Lluka, inxhinieri nga Peja, i cili nëntorët i kishte të veçantë gjithmonë dhe sikur e ndjente se edhe vetë do të ikte në një ditë nëntori.

Riza Lluka, të cilin ideali patriotik, optimizmi dhe kujdesi për të tjerët e përcollën gjatë gjithë jetës, pak data kishte të rëndësishme në jetën e ti, por ato që i kishte i kishte me peshë, i çmonte dhe i përjetonte.

28 Nëntori ishte ai i Flamurit. Shkurti në mbamendjen e tij ishte muaji më i gjatë i vitit. I kujtonte minatorët dhe grevën.

Marsi, siç thoshte vetë, ishte muaji i thyerjeve të mëdha historike, të jesh o të mos jesh.

Riza Lluka vlerësohet si njeriu shembull i mosdorëzimit dhe motivimit të të tjerëve për të mos hequr dorë nga ëndrra dhe angazhimi për ditët e mira të shqiptarëve.

“Ditët e mira për shqiptarët po vijnë”, ishte thënia që e përsëriste vazhdimisht, njeriu që tërë jetën ia kushtoi rezistencës dhe çështjes kombëtare.

U lind në vitin 1943 në një familje të vjetër tregtare në Pejë.

Ishte Delegat i Kuvendit të Kosovës nga viti 1982 deri me 1990 dhe anëtar e kryetar i Këshillit për urbanizëm dhe punë komunale në ish-Dhomën e Punës së Bashkuar të Kosovës.

Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por atëherë si anëtar i Partisë Parlamentare (1992-1998).

Vlerësohet si njeri i hekurt ndaj sistemeve e regjimeve që kaloi Kosova.

Veçohet rezistenca e tij e pashoqe politike kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë, dhe angazhimi i pashembullt për arsimin shqip.

Në vitin 1989 shqiptarët po humbnin edhe ato pak të drejta që kishin në kuadër të ish federatës së Jugosllavisë. Serbia me në krye Millosheviqin kishte nisur përpjekjet që ta aneksonte vendin e shqiptarëve që kishin mbetur pjesë e Jugosllavisë.

Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, do të ndryshohej Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.

Më 23 mars, në sallë të Kuvendit trysnia fillon me gjoja mysafirët e ftuar në seancë. Gjysma e tyre pozicionohen në rendet e para të ulëseve të Kuvendet. Pas tyre ishin përcaktuar vendet e delegatëve.

Gjithçka ishte bërë me qëllim. Numri i madh i “mysafirëve” të pranishëm ishte sinjal për vendime antishqiptare, për manipulime me vota.

Sipas dëshmive, qoftë nga dëshmitarët e edhe nga stenogramet e asaj kohe, komploti zbulohet nga Riza Lluka, delegat nga Peja.

Nga foltorja e Kuvendit, Lluka kërkon që të ndalohet votimi i “mysafirëve”, e që të merret parasysh vetëm vullneti i delegatëve. Kështu, kufizohet vota e tyre. Por, fatkeqësisht, kjo nuk u arrit në tërësi.

Në xhirimet të cilat janë publikuar nga mediat ndërkombëtare, ku dominon imazhi i deputetit Lluka duke ngritur gishtat kundër ndryshimeve, simbolizohet rezistenca dhe përfaqësimi i vullnetit të shqiptarëve shumicë të Kosovës.

Karriera politike e Riza Llukës është e bujshme.

Ai ishte këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Pejës për tetë vjet me radhë.

Riza Lluka do mbahet mend edhe si misionar në pajtimin e gjaqeve në SHBA, në krye me Anton Çetën gjatë viteve të ’90-ta.

Angazhim të veçantë pati në aktivizimin e tërë potencialeve ekzistuese të Kosovës.

Ishte njëri nga iniciatorët për elektrifikimin e rajonit të Rugovës. Ishte Riza që mbështeti luftën e pastër të UÇK-së dhe rimëkëmbjen e Pejës.

Riza Lluka i kushtonte kujdes të veçantë arsimit. Ishte Riza që Pejën e bëri me shkollë baleti.

Ai ishte një prej humanistëve më të mëdhenj të kohëve moderne në Kosovë. Përkrahu dhe ndihmoi  projektin e shoqatës “Jetimët e Ballkanit” për hapjen e kuzhinës popullore në Pejë. Mbi të gjitha, ai ishte ndihmës i madh për njerëzit në nevojë. Dhe këto janë vetëm disa nga të bëmat e tij në jetën që e la pas.

Ai ishte misionari që nuk u ndal e dorëzua kurrë.

Optimisti i përjetshëm që i buzëqeshte cilësdo sfidë.

Gjithmonë fliste për të ardhmen, edhe atëherë kur ishte i dëshpëruar.

Riza Lluka ishte politikan aktiv për 22 vite të plota.

Kontributi i tij për ndërtimin e shtetit nuk ndal as në vitet e pasluftës. Shpesh do të rrethohej nga shumë njerëz, që nga veprimtarë e atdhetarë të devotshëm, akademikë e politikanë të ekuilibruar, deri tek karrieristë të pacipë. Nganjëherë kishte shumë inat e zemërim por në çaste vendimtare dinte të shmangej dhe të merrte vendime unifikuese.  Kundërshtarët politikë e respektonin.

“Para neve veprimtarëve të asaj kohe dhe veprimtarëve të tashëm, gjithmonë ekziston vetëm një qëllim, të angazhohemi për këtë popull që ka vuajtur shumë”, kishte thënë në një deklaratë të dhënë në vitin 2013.

Në dekadën e fundit të jetës së tij Riza ishte në krye të RTV Dukagjini, ku deri në fund të jetës do të ishte në pozitën e drejtorit të këtij institucioni në kuadër të Korporatës “Dukagjini”, që udhëhiqet nga vëllai i tij Ekremi.

Riza Lluka në rolin e drejtorit do ta ndihmonte guximin gazetaresk. Me idetë e tij do ta bënte Pejën të madhe duke i ofruar frymë qytetarie dhe shpresë. Do t’i falte Pejës dhe Kosovës atë që i mungonte, fjalën e lirë dhe mendimin kritik.

Do të ishte ky Riza Lluka që sa herë fliste, kishte shumë për të treguar.

Më 25 nëntor 2014 do të ishte beteja e parë dhe e fundit që Riza Lluka do ta humbte, ajo me vdekjen.

Riza Lluka do të ikte bukur, ashtu edhe siç jeto bukur. Në gjirin e ngushtë familjar, në shtëpinë e mbushur plot. Do të mbahej si trim edhe në vdekje. Të gjithë ata që do ta njihnin nga afër, ose do ta dëgjonin nga larg, do ta kenë  në mendje me fjalët: Riza Lluka, Lamtumirë! Ne do të të duam gjithmonë!

Amanet kishte lënë që për në banesën e fundit të shoqërohej me muzikë.

Dëshmi që jeta e tij ishte një këngë. Këngë e një populli që po vuante dhimbjen dhe vuajtjen që shkakton padrejtësia.