Tri  poezi nga  Tahir Bezhani

19.11.2019 13:05:43

 

Dritarja aty

Në dritare të kullës sime

Buzëqeshte shpresa vrimave të fyellit

Dëgjoja këngë kërcenjësh në kor

Gjatë përgjoja ecjen e hijeve natën

Oshamën e terrinës shqetsuese…

Pluhuri gjëmonte nga pesha e ndrydhjes

Të dridhurat  zgëdhiheshin zgavrave

Poreve të lëkurës diçka ecte lehtë

Si shpresat pritjeve të vonuara

Për rrezet e  diellit

Pamje e kalamendur  rrugëve

Tymnajave të kohës…

Kurrë dashurinë nuk e mallkova

Natën luftoja me terrin

Ditën puthësha bukurinë time

Me majën e gjuhës shijona lotin

Qëndresa fitonte lojën e lodhur….

  GJETHI VJESHTAK

Dy gjethe të zverdhura vjeshtake

Lehtë,lehtë ateruan mbi tavolinë

Heshtazi prekën floknajën  e  zbardhur

Si dy flutura në suprinë uji

Ngjallnin kureshtjen time

Shikoja me dhimbje atë mbarim jete

Dy gjethe të tkurura në rudha stine

Pushuan mbi tavolinën time

Era i treti në rrugën pa këthim

Natyrë mashtruese buzqeshi

Të vret me bukurinë e saj

Të gjithë gjetheve u ngjajmë….

NJË FOTO NË VEND TË EPITAFIT

Ikën stinët,

Kohë e   mundimshme

Me pak gëzime e shumë hidhërime

E kah t’ia mbajë

Kur çdo gjë ka fundin e saj…

Kur të shikoni në foto

Në pllakën e mermert

Mbi kokën time,pa epitaf

Ç’fare do flisni nuk e di

Mos derdhni lot pa i ndjerë zemra

Më shikoni me dhimbje të sinqertë

Ju gjëndeni mes rreshtave të zemrës

Lexoni porositë raftijeve…..