Tridhjetëvjetori i heqjes së autonomisë së Kosovës – arkiv artikujsh në gazetën britanike

20.03.2019 15:58:42

Nga Muhamet Hamiti

Të premten, më 23 mars 2019, bëhen tridhjetë vjet nga dita kur Kuvendi i atëhershëm i Kosovës – në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshmme, i rrethuar nga trupa policore – miratoi ndryshimet kushtetuese që e zhveshnin Kosovën nga statusi i njësisë federale jugosllave, për ta bërë thjesht autonomi brenda Serbisë, siç do të ndodhte me Kushtetutën e Serbisë të datës 28 mars 1989. (Në parantezë, do përkujtuar se jo pak funksionarë shqiptarë të sistemit komunist në Kosovë pajtoheshin me idenë e Beogradit se ‘ndërrimet kushtetuese’ – që në të vërtetë e degradonin statusin juridik të Kosovës – nuk përbënin problem! Një shfletim i shtypit të Kosovës e dëshmon këtë.)
Shumica shqiptare, që me vjet ishte angazhuar për status republike në Jugosllavi, tashti humbte edhe atë status që kishte marrë me Kushtetutën e vitit 1974.
Me këtë niste realizimi në vepër i projektit të Serbisë së Madhe që komunisti Millosheviq donte ta realizonte në aleancë me mbështetësin shpirtëror, Kishën Ortodokse Serbe. Presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, anëtar i Qeverisë së Millosheviqit gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, po bën të njëjtën gjë sot – është bërë një me Kishën Ortodokse Serbe në politikën kundër Kosovës.
Më 28 qershor 1989, në tubimin në Gazimestan, Millosheviqi pat paralajmëruar se për këto qëllime të ri-rregullimit të Jugosllavisë nuk përjashtohej as lufta e armatosur.
Në vigjilie të këtij tubimi, në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel” më 26 qershor 1989, Ibrahim Rugova, kryetari 45-vjeçar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, pohonte se “serbët po vijnë sërish si hakmarrës”, për çka qe proskribuar e kërcënuar nga pushteti komunist i Kosovës.
Kush do të kujtojë atë kohë, le të lexojë këta artikuj te gazeta “The Guardian” e Londrës, e cila përkujton këto zhvillime dramatike të kohës, që çuan në luftërat e ish-Jugosllavisë.