Tronditet Maqedonia, tri vrasje për tri ditë

03.03.2019 12:37:08

Tri vrasje të ndryshme brenda tre ditëve kanë tronditur banorët e Strugës, Shkupit, Tetovës por edhe të tërë Maqedonisë.

Fillimisht më 28 shkurt në mesditë, në fshatin Pohum të Strugës u qëllua për vdekje 23 vjeçari, Z.B., ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Incidenti ka nisur kur personi me inicialet U.B. i lindur në vitin 1997 ka gjuajtur me armë mbi personin me inicialet Z. B., i lindur në vitin 1996 dhe V.B., i lindur në vitin 1973 si dhe ndaj disa personave të tjerë. Gjatë ditës së djeshme nga Prokuroria lidhur me rastin njoftuan se dorasi nuk ka qenë i vetëm dhe se është ndihmuar edhe nga dy persona tjerë të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit.

Një ditë më vonë në fshatin Shishovë të Shkupit u qëllua për vdekje një person ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.

Viktima është 20 vjeçari Ajdin Ajdini, ndërsa i plagosur ka mbetur 36 vjeçari G.A. Sipas policisë në drejtim të tyre ka shtënë E.S. nga i njëjti fshat.

Ajdini ka qenë në makinën e tij BMW së bashku me dy persona tjerë. Në një moment atyre u është afruar makina “Mercedes” në të cilën ka qenë E.Sh. Ai me makinën e tij për një moment ka ndaluar, ndërsa nga makina kanë dalë edhe Ajdini, G.A dhe personi i tretë, S.T.

E.SH së pari ka qëlluar me armë zjarri G.A-në, dhe më pas edhe Ajdinin.

Ndërkaq mbrëmë, gjysmë ore pas mesnate në afërsi të Spitalit të Tetovës për vdekje u qëllua një person tjetër. Informacionet flasin se viktima është 43-vjeçari A.A pronari i një ëmbëltoreje. Policia tha se vrasja ndodhi rreth orës 23.50 në rrugën 29 Nëntori në Tetovë, kanë konfirmuar nga Prokuroria Publike, raporton SHENJA.

Sipas Prokurorisë ata menjëherë kanë dalë në vendngjarje për të bërë ekspertizë dhe për të grumbulluar prova materiale për vrasjen. “Vrasja ka ndodhur kur në një tavolinë në objektin kanë qëndruar së bashku pesë persona duke konsumuar alkool.

Në një dorasi ka nxjerr armën e zjarrit, dhe ka qëlluar mbi njërin prej personave. Personi i qëlluar ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa pas veprës penale, grupi është arratisur. Dy prej tyre janë arrestuar nga ana e policisë, ndërsa dy të tjerë janë dorëzuar në stacion policor”, kanë njoftuar nga Prokuroria Publike.