Tronditet Roma, Barcelona i rrëmben “në fluturim” brazilianin Malcom

24.07.2018 18:13:56

Ndodh e pabesueshmja me brazilianin Malcom, që gjatë ditës së hënë ishte “zyrtarizuar” si blerja më e re e Romës në Serinë A. Mirëpo gjatë orëve të vona të mbrëmjes, kur tifozët verdhekuq ishin mbledhur në aeroport për zbarkimin e tij, vjen lajmi i papritur nga Bordeaux. Futbollistit i është anuluar udhëtimi drejt kryeqytetit italian, pasi Barcelona kishte bërë një ofertë më të mirë ekonomike.

Për këtë arsye francezët kanë fshirë fluturimin e brazilianit për në Itali, duke irrituar pa masë drejtuesit verdhekuq, të cilët tashmë do të ndjekin hapat ligjorë për këtë prishje të njëanshme të marrëveshjes në minutën e fundit.

Malcom do të firmoste kontratë 5-vjeçare me Romën, nga e cila do të përfitonte 2.5 milionë euro në sezon, ndërsa në arkat e Bordeaux do të shkonin 37 milionë euro (32 milionë euro plus bonuset). Sapo të kryente vizitat mjekësore këtë të martë, do të fluturonte më pas drejt Amerikës, për t’iu bashkuar skuadrës verdhekuqe në përgatitijet verore.

Barcelona mësohet se ka ofruar 41 milionë euro dhe arsyeja lidhet me refuzimin e Chelsea-t për të shitur sulmuesin Willian. Malcom është 21 vjeç dhe një futbollist i perspektivës, ndaj dhe drejtuesit “blaugrana” bënë këtë lëvizje të befasishme, që la pa fjalë tifozët e Romës.