Trump: Do të mbyllet qeveria nëse nuk financohet muri

29.04.2018 22:17:53

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të mbyllë qeverinë federale këtë vit nëse Kongresi nuk miraton fonde të mjaftueshme për të forcuar kontrollin kufitar, përfshirë fonde për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.
Muajin e kaluar presidenti nënshkroi projekt-buxhetin prej 1.3 trilionë dollarësh për financimin e qeverisë federale deri në shtator.

Dje në një tubim në Miçigan, presidenti tha se Kongresi do të hedhë në votë projekt-buxhetin e ri më 28 shtator, por nëse nuk përfshin fonde për murin në kufi ai nuk do ta nënshkruajë projekt-buxhetin.

“E duam murin, do ta ndërtojmë. Kemi filluar punën. Kemi 1.6 miliardë dollarë fonde. Nëse nuk marrim fonde për sigurinë kufitare nuk kam ç’të bëj. Do të mbyllim punët e vendit, pasi na duhet siguria kufitare”.

Mbrojtja e kufirit përmes ndërtimit të një muri ishte një nga premtimet kryesore që bëri në fushatën presidenciale Donald Trumpi. Por ka gjasa që presidenti të krijojë divergjenca të reja me republikanët e partisë së tij nëse përpiqet të mbyllë qeverinë ndërkohë që shumë republikanë përgatiten të garojnë në zgjedhjet e nëntorit.