Trump donte t’u jepte 2 mijë dollarë, Senati refuzoi/ McConnell dhe Pelosi në shënjestër të vandalëve

03.01.2021 14:55:24

Disa amerikanë kanë vandalizuar banesat e liderëve të Kongresit Amerikan. Ata shfaqën pakënaqësitë e tyre për mos ndryshimin e çekut prej 600 dollarësh ndihmë për qytetarët, duke hedhur bojë të kuqe në shtëpinë e Nancy Pelosi dhe Mitch McConnell.

Vandalët në Shtetet e Bashkuara sulmuan shtëpitë e liderëve të Kongresit, Nancy Pelosi dheMitch McConnell. Bojë e kuqe që simbolizon gjakun dhe kokë derri u lanë pranë banesës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në Kaliforni.

Gjithashtu ndaj demokrates pati dhe mbishkrime e parulla me grafiti. Në banesën e republikanit McConnell në Kentaki, u raportuan mbishkrime si “Ku janë paratë e mia” dhe ofendime të tjera.

Kjo erdhi mes betejës politike për pakon e ndihmës ekonomike për qytetarët amerikanë, të prekur nga pandemia koronavirus. Të martën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rritje të ndihmës për individët nga 600 dollarë në 2 mijë.

Ndryshimi u miratua në parlamentin me shumicë demokrate edhe me ndihmën e 40 ligjvënësve republikanë. Megjithatë Senati, i cili kontrollohet nga republikanët, nuk aprovoi ndryshimin për t’u dhënë më shumë para amerikanëve, pavarësisht thirrje të presidentit, Donald Trump për ta mbështetur atë.