Trump i jep dritën jeshile naftësjellësit Keystone XL

24.03.2017 19:37:24
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i dha leje kompanisë energjetike TransCanada të ndërtojë naftësjellësin Keystone XL.

Departamenti i Shtetit tha se projekti, i cili është bllokuar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është në interesin kombëtar të SHBA-së.

Tubacioni prej 1,900 kilometrash do të bartë naftën nga Kanadaja në rafineritë në bregdetin e Teksasit.

Leja është nënshkruar nga nënsekretari i shtetit për çështje politike, Tom Shannon.

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duke kundërshtuar projektin në vitin 2015, ka thënë se ai as nuk do ta nxisë rritjen ekonomike, as nuk do ta ndihmojë SHBA-në të arrijë pavarësinë energjetike.

Grupet mjedisore po ashtu kanë kritikuar projektin.

Tubacioni pritet të bartë mbi 800,000 fuçi naftë të papërpunuar në ditë, nga provinca Alberta e Kanadasë në Gjirin e Meksikës.