Trump kërcënon se do ta ndërpresë paktin SHBA-Kuba

28.11.2016 20:25:48

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka thënë se do t’i japë fund paktit mes SHBA dhe Kubës, nëse qeveria kubane nuk ofron një “marrëveshje më të mirë”.

Presidenti Barack Obama ka punuar që të përmirësojë raportet me vendin komunist, diçka që kulmoi me vizitën e tij historike atje në mars të vitit 2016.

Por presidenti i zgjedhur kërcënoi se mund t’i japë fund këtij pajtimi, transmeton Klan Kosova.

Mesazhi i Trump në Twitter, forma e preferuar e komunikimit për të, u publikua ndërsa mijëra kubanë bënin homazhe për Fidel Castron që ndërroi jetë të premten.

“Nëse Kuba nuk ka dëshirë të bëjë një marrëveshje më të mirë për popullin kuban, për kubano-amerikanët dhe për SHBA në tërësi, unë do t’i jap fund marrëveshjes”, shkroi Trump në Twitter.