Trump: Koreja Veriore nuk do lejohet të ketë armë bërthamore

03.01.2017 13:57:41

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përmes profilit të tij në Twitter ka thënë se Koreja e Veriut nuk do të ketë mundësi të ndërtojë armë bërthamore që do të mund të arrinin disa pjesë të territorit të Shteteve të Bashkuara.

Mirëpo, Reuters shkruan se ka mundësi që Koreja komuniste tashmë vetëm e ka këtë armë.

Disa prej ekspertëve që e kanë përcjellë programin bërthamor dhe atë raketor të Koresë së Veriut, thonë se pas disa testeve të kryera gjatë vitit 2016, ky shtet mund të ketë raketa me rreze të shkurtëra dhe të mesme që përmbajnë koka bërthamore.

Kjo së paku mund t’ia jap mundësinë Koresë komuniste të kërcënojë forcat amerikane të stacionuara në Azi.

Cicërima e Trumpit e publikuar të hënën merret si përgjigje ndaj pretendimit të liderit koreano verior, Kim Jong Un i cili gjatë fjalimit për Vitin e Ri ka thënë se vendi ka arritur fazën finale të ndërtimit të raketave inter-kontinentale balistike.

Reagimi i presidentit të zgjedhur amerikan ishte kështu: “Koreja Veriore thotë se është në fazën finale të zhvillimit të armëve bërthamore që mund të arrijnë disa pjesë të SHBA-së. Kjo nuk do të ndodhë!”