Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte i pari i Trumpit, sy më sy, me një zyrtar të lartë rus, prejse ai ka marrë detyrën e presidentit në janar.
Megjithatë, bisedimet u zhvilluan nën hijen e vendimit të Trumpit, një ditë më herët, për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey.
Comey ka mbikëqyrur hetimet e lidhjeve midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.
Në komentet e shkurtra për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump lavdëroi rezultatin e takimit me Lavrovin.
“Mendoj se do t’ia dalim me Sirinë, gjërat po ndodhin, ato janë vërtet pozitive”, tha Trump.
Në delaratën e lëshuar më pas nga Shtëpia e Bardhë u tha se Trump i ka kërkuar Lavrovit “të frenojë” presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe Iranin. Të dy janë aleatë të ngushtë të Rusisë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump diskutoi edhe çështjen e Ukrainës me Lavrovin dhe theksoi përgjegjësinë e Rusisë për të zbatuar Marrëveshjen e Minskut për paqe në lindje të Ukrainës.
Lavrov, ndërkaq, u tha gazetarëve në ambasadën ruse se Trump do marrëdhënie “reciprokisht të dobishme” me Moskën.