Trump po formon qeverinë më të pasur në histori

01.12.2016 20:36:36
Gjatë të gjithë fushatës elektorale, Donald Trump përdori një ton të fortë populist, duke u zotuar se do të mbronte klasën punëtore të braktisur nga elita. Por, ndërsa zgjedh emrat e qeverisë së tij, ekspertët kanë nisur të dalin në përfundimin se ai po formon qeverinë më të pasur në historinë amerikane.

Deri tani, mes zgjedhjeve të tij përfshihen një investitor miliarder, vajza e një dinastie tregtare dhe një bankier multimilioner. Demokratët nuk mund të humbisnin rastin për të sulmuar Trumpin, ndaj dhe senatori i Vermontit Bernie Sanders shkroi në “Twitter” se administrata e Donald Trumpit iu përket dhe iu shërben milionerëve dhe miliarderëve.

Ndërsa pasuria e Trumpit nuk përbën më lajm dhe dihej që gjatë fushatës, janë pikërisht emrat e tjerë që kanë bërë shumë njerëz të rrudhin buzët. Betsy DeVos, zgjedhja e Trumpit për Sekretare Arsimi, është vajza e miliarderit Richard DeVos dhe pasuria e saj llogaritet nga “Forbes” në 5.1 miliardë dollarë, më e pasur sesa vet Trump.

Pason Wilbur Ross, Sekretari i ardhshëm i Tregtisë, një investitor që sipas “Forbes” ka një pasuri prej 2.5 miliardë dollarë. Zëvendësi i tij, Todd Rickets zotëron ekipin e bejsbollit Chicago Cubs, e gjithashtu 1.75 miliardë dollarë.

Një emër që ka ngjallur shumë debat është ai i Steven Mnuchin, zgjedhja e Trumpit për Sekretar të Thesarit, jo për pasurinë e tij prej 40 milionësh, por për të shkuarën si bankier, një njeri i brendshëm i Wall Street, siç e kanë quajtur demokratët.

Ben Carson, i propozuar si Sekretar i Strehimit, dhe Tom Price, shefi i ardhshëm i dikasterit të Shëndetësisë, raportohen që të jenë milionerë që të dy. Pa u plotësuar i gjithë kabineti i Trumpit, që tani kanë nisur dyshimet nëse emra të tillë do të përfaqësojnë vërtet klasën punëtore në SHBA, pikërisht ajo që me votat e saj ishte mes faktorëve të rëndësishëm që i dhanë miliarderit njujorkez të drejtën për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë.