Trupat e KFOR-it, stërvitje të përbashkët

12.09.2016 10:49:00

Grupi Luftarak Shumëkombësh-Lindje dhe njësitë Rezervë Taktike Manovruese të KFOR-it do të zhvillojnë një stërvitje shumëkombëshe trajnimi, në një zonë trajnimi afër Zhegovcit të Poshtëm, në jug të Prishtinës, për të rritur nivelin e ndërveprimit dhe për të ndërtuar besimin ndaj KFOR-it.

Stërvitja është pika kryesore e një plani të trajnimit që njësitë e KFOR-it e kanë kryer dhe do të përfshijë një sulm nga ajri, trajnim situacional në nivel skuadre dhe togu, si dhe detyra komanduese në nivel të batalionit dhe brigadës.

“Ekipet e ushtarëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Portugalia do ta kryejnë trajnimin e tyre për të treguar aftësinë për të lëvizur kudo në Kosovë dhe të kryejë çdo lloj operacioni të këmbësorisë, duke theksuar ndërveprimin në mes të partnerëve të NATO-s me qëllim të përmbushjes së misionit të KFOR-it, duke siguruar lirinë e lëvizjes dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt në tërë Kosovën”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.