Tsipras, apel NATO-s për tensionet me Turqinë

15.02.2018 17:37:05

“Greqia nuk do të lejojë ose tolerojë asnjë dyshim mbi integritetin e saj territorial dhe të drejtat sovrane”, ka deklaruar gjatë një vizite në Ministrinë e Marinës Detare, kryeministri grek Alexis Tsipras, në një mesazh të ashpër drejt Ankarasë, disa orë pas incidentit të fundit pranë ishullit Imia, kur një luftanije turke ka përplasur një greke.

“Greqia nuk luan lojëra, ajo ndodhet në bërthamën e fortë të BE-së, është anëtare e NATO-s me rol të fuqishëm rajonal, dhe aleanca ndërkombëtare shtyllë e sigurisë në një rajon të destabilizuar”, ka thënë ai.

“Kufijtë detarë të Greqisë janë kufijtë lindorë të të gjithë BE-së. E këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që fantazojnë për zonat e kontestuara dhe vënë në dyshim elementët më të thjeshtë të së drejtës ndërkombëtare”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Më herët gjatë Samitit të NATO-s në Bruksel, ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos ka informuar homologët e tij për sfidat turke gjatë muajit të fundit në Egje, duke iu paraqitur atyre edhe videodokumente, të cilat thuhet se kanë shkatuar reagime të forta politike.

“Greqia është vendi që, edhe pse është sulmuar disa herë nga Turqia, mbështet integrimin e saj në BE, por Greqia është gjithashtu një vend që duhet të mbrojë integritetin e saj territorial, si dhe kufijtë europianë”, tha Panos Kammenos, ministri grek i Mbrojtjes.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi ka biseduar me dy ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Greqisë, u ka bërë apel të dyja vendeve të shmangin përshkallëzimin e tensioneve të shkaktuara nga ngjarjet e fundit në Egje.