Tsipras, në Beograd: BE të korrigjojë gabimet ndaj Ballkanit

10.12.2017 14:21:51

Nga samiti i dytë midis 4 vendeve ballkanike, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Serbisë, të zhvilluar në Beograd, kryeministri grek Alexis Tsipras i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të korrigjojë gabimet e mëdha që ka bërë në përballimin e vendeve të këtij rajoni.

Duke iu referuar edhe takimit me presdeintin turk Erdogan, Alexis Tsipras ka theksuar se duhet folur me fqinjët në mënyrë konstruktive për të ardhmen në Ballkan, sado e vështirë të jetë kjo, dhe se paqja, stabiliteti dhe rritja ekonomike në këtë rajon arrihen vetëm duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, ku Traktati i Lozanës do të ishte një “gurthemel” për Ballkanin.

“BE-ja duhet të korrigjojë sa më shpejt një gabim të madh, i cili i ka rrënjët në mënyrën me të cilën Europa ka përballuar në tërësi këtë zonë të Ballkanit. E dimë se Ballkani ishte gjithnjë një rajon i rrezikshëm. Fuçia e barutit quhej dikur. U bënë gabime dhe padrejtësi, e duhen korrigjuar. Nuk mundet që Serbia të jetë jashtë familjes europiane, kur shumica e popullsisë dëshiron të jetë pjesë e BE-së”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Përveç Serbisë, në kuadrin e bisedimeve midis 4 udhëheqësve ballkanikë i është dhënë vëmendje e veçantë zgjerimit të BE-së, me integrimin edhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si dhe të Shqipërisë.

Pasi ka falenderuar kryeministrat e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë, për mbështetjen e tyre ndaj Serbisë, presidenti Vuçiç ka theksuar rëndësinë e projekteve infrastrukturore, për të cilat kanë folur ata, si tubacionet e gazit, hekurudhat dhe autostradat.

“Jam shumë mirënjohës për miqtë tanë, që e mbështesin Serbinë në rrugën e saj europiane. Biseduam si të përshpejtojmë rrugën e Serbisë, ta sjellim më pranë BE-së, dhe çfarë është ajo që duhet të bëjmë e si të presim ndihmë nga miqtë tanë”, tha Aleksandar Vuçiç, presdient i Serbisë.

Katër udhëheqësit ballkanas kanë parashtruar në bisedime të gjitha aspektet e samitit të ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, që do të mbahet në majin që vjen, si dhe axhendën e presidencës bullgare në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, të cilën e kanë quajtur “Presidenca ballkanike”.