Turjaka e Zatriqit, katund i njohur dhe i pasur

27.01.2019 11:28:11

Nga Sinan Kastrati

Pjesë nga ditari im për Turjakën

Katundi 1*) Turjakë është një nga katundet e njohura të Llapushës. Dikur i takonte “serezit” të Rahavecit e Bajrakit të Astrazubit. Kufizohet me fshatrat Lubizhdë, në lindje, Damanekin, në Veri, Bublin, në perëndim dhe Panorcin e Bjeshkët e Zatriqit në Jug-perëndim. Me pjesët tjera kufizohet kryesisht me male dhe livadhe. Në mes, ka lumin Mirusha dhe jo larg është edhe Vll. Drenofci i njohur me Shahirat e Drenofcit, Salihin e Ferizin.

Para se me ardhur Kastratët, nga Zatriqi në Turjakë, Turjaka edhe Damaneku ishin shpesh fusha të mejdanit ku i qëronin hesapet komitët në mes të vetit. Unë në një shkrim timin të mëhershëm i kam përmend kush ishin ata. Më të njohurit ishin Topi, Rrakaqi, Qorri, Karadaki etj. Kur erdhën djemt e Ali Agës, sidomosa Avdullah Aga, me autoritetin që kishte e sigurisht edhe me njerëzit e vetë ato vrasje, hajni e hasmëri zhduken.

Turjaka është e Zatriqit por njihej edhe si Turjaka e Damanekut.

Deri në në mes të viteve 1860-1870, në Turjakë kanë qenë vec me disa qipqi e rrogtarë, kryesisht të fisit zogjan por edhe të tjerë, Katazët. Atherë kanë ardhur shumica e Kastratëve nga Zatrqi dhe janë vendosur në të dy mahallat, në mahallën e Madhe dhe në Mahallën e Vogël.

Ka pasur mendime se Damaneki apo ndonjë katund tjetër për rreth është më i mirë për jetesë se sa Turjaka, për shkak të tokës së mirë të punë, siq është Damaneki (Dem- Neka apo edhe Dukati) por Xhemajlia i Brahim Agës kish pas thënë se një katund që nuk ka bjeshkë dhe Lum, Mulli…  nuk është mirë me jetua aty. Turjaka i ka të të gjithat.

Turjaka, nuk më hiqet nga mendja. Kudo që isha e kudo që  shkoj,Turjaka më duket e madhe, e pastër, e bukur, e mirë, e vorgjër, me pleq të menqur, burra të mirë, bujq e blegtorë të vyeshëm e me gra të urta e puntore, qika të bukura e djem të lazdruar.

Turjaka, me ato male që s`i ka asnjë katund tjetër, Damaeku e as Lubizhda, me ara bukanike që ngjiten deri në fund të maleve, e me livadhe të buta plot barë e lule që i ushqen lumi Mirusha për midis të midist, siq thonë Turjaka mesit.

Isha e ku nuk isha nëpër Evropë. Isha deri edhe te “Varri” i Bethovenit që gjermanët do të jepnin shumë para po ta dinin ku ëshë ai varr.

Alpet e Austrisë e rrjedhën e Danubit i pash. Pushova nën hijet e atyre lisave qindra vjeçar të maleve dhe i lajta duart e faqet me ujë të Danubit. Pash fushat e fermat daneze me shpezë e bregdetin kroat. Shkela edhe shkallët e Univerzitetit të Lundit, e nuk munda të rrijë shumë gjatë sepse nuk mund të ndahesha e nuk kishte vend më të mirë seTurjaka.

Sot më tepër se ditët e tjera mu kujtuan ata burra pleq, që nuk janë më dhe mendova: -A i kanë dashur ata gratë e tyre si ne turjakasit “rinj”?

Shumica e atyre pleqëve që unë i njoh kanë pasur edhe nga dy gra.

Po filloj me radhë dhe me më të vjetrit. Smajl Zeneli kishte pasur dy gra. Me më të parën kishte dy djem, Hamzën e Alushin e me gruan e dytë kishte Zenelin e Murtezin.

Pas Mixhës Smajl, burra tjerë të fisit Zogaj që unë i njoh ishin djemt e Metë Xhemës: Asmani, Rexha, Xhemajlia e Limani, Brahim, Sylë, Muharrem, Bajram, Nezir, Hasan, Sali e Shaban Ramadani. Edhe këta ishin vëllezër nga baba por me nëna të tjera. Tjetër, përveç Nebih Cufës e Islam Maliqit, nga fisi Zogaj nuk kishte.

Amrush Bajrami, Haradini e Avdyli kishin ardhur nga Lladrofci, edhe ata maheshin me Zogaj.

Kastratët.

Turjaka kishte më shumë Kastrat se sa Zogaj, për disa familje: Familja e Mulla-Muqëve (apo Mugjëve) që nga Imer Mulla Muqa, Sadri Meta, Musli e Ali Meta. Sadriu ishte vëlla me Musliun e Aliun por nuk ishin të një nëne.

Haxhi e Sejdi Mala, ishin gjithashtu, Mulla Muq.

Haxhi Mala kishte katër djem: Dinën (Haradin). Malushin, Seferin dhe Zyberin kurse Sejdiu kishte Hasanin dhe Hakinë.

Afer tyre, me truall ka qenë edhe Cufë Mllanaviqi.

Familja e Dylybashëve (Delibash) ishin familje e madhe por të gjithë janë shpërngulur në Prizren: Idriz Dylybashi, Sylyman Elezi, Asman e Sadik Limani, Ahmet Mehmeti e Rexhep Demiri …

Familja e Nurqave ishte familja e njohur si puntorë të mirë e qoban të dalluar. Ata ishin: Gjelë e Hajdin Nurqi, djemtë e Beqës, djemtë e Ali Nurqit ishin Kapllani, Faiku e Hasani… Djemtë e Miftarit ishin: Murati e Smajli… dhe djemtë e Fetahit ishin: Ibishi, Abedini e Bislimi. Edhe Lat Shashivari, mbahej me familjen e Nurqëve.

Shabani, Ilazi e Zeqa, ishin djemtë e Shaqë Kamerit, të afërt me Dylybasht.

Avdyl e Ilaz Imeri dhe Sylë Sahiti, ishin familje në vete. Njiheshin si familje e Sahit e Imer Mstafes. Këtyre iu kishte bashkangjitur edhe familja e Xhemë Maxharrës që nuk ishte shtua që nga koha kur kishin ardhur si hyzmeqarë të Bali Agës, nga Maxharri (Hungaria) dhe familja tjetër, ajo e Qyrtëve, Ahmet Qyrtit. Edhe kjo familje, i pari i tyre kishte ardhur si hyzmeqar i Bali Agës, nga Qyrtistani (Kurdistani) nuk ishte shtua. Vetëm Ahmeti, i pari nga kjo familje kishte katër djem: Zenelin, Zymerin, Shukriun dhe Xhemajliun. Këta mbaheshin me familjen e Jup Rexhepit dhe deri vonë kanë jetua në një oborr me Rexhep Jupës.

Abaz Aga, kishte lënë djalin, Jupë Agën që tash janë Jupa, Muhameti e Abazi (Muhameti ka vdekur).

Dhe … Familja e Ali Agëve, që kishin ardhur nga Zatriqi, diku rreth viteve 1870. Ali Aga kishte katër djem me tri gra: Avdullah Aga, Brahim Aga, Hamza dhe Hasani.

Avdullah Aga ishte djali i madh i Ali Agës. Ishte i njohur si pleqnar dhe ishte njeriu më i autoritetshëm i kohës. Kishim pasur miqësi dhe muhabet me Xhemajl Abrinë, pleqnar i pashoq i Drenicës ….

Sa herë që kishte ardhur Shemsi Pasha me ushtri në Livadhet e Turjakës, i kishte thirrur Avdullahin dhe Xhemajlin. Avdullahi kishte qenë edhe i pashëm dhe burrë afro i madh afro 2 metra. Kish pas jetuar 120 vjet. Ai e kishte lënë veç një djalë, Seferin, edhe ai ish kânë patriot por dembel i madh e papuntor.

Brahim Aga ish kânë puntor më i madh dhe e kish pas mbajtur shtëpinë gjallë. Te tre vëllezërit, Avdullahi, Hamza e Hasani nuk kishin punua fare, sa kishin pas jetua bashkë por kur ishin ndarë Hamza e Hasani donin me u shky duke punua ndërsa Avdullahi përseri nuk kishte punua.

Brahim Aga kish pas thënë: – Veç Avdullahit, hallal i kofte se ishte kânë i fjalës e nuk ka punua as atherë e as tash por jo edhe Hamza e Hasani.

Njëherë, më tregoj bac Nezir, Nezir Cufa ishin pas ankua Hamza e Hasani pse Avdullahi nuk po punon dhe Avdullahi që të mos e prishte shtëpinë kish pas dalur me mih kallamoq në Seishta por si i mshon me shati tokës, i del një lirë dhe me at lirë e kish pas pagua një hyzmeqar, puntor që të punoj në vend të tijë.

Brahim Aga ka lënë dy djem: Xhemajlinë dhe Cufën (Isufin). Edhe këta, djemtë e Xhemajlisë (Meta dhe Salihi) në fund viteve të 50-ta kishin dalur në Pejë e djemtë e bacës Cufë, Asmani kishte shkua në Ferizaj, te Mullini i Kukës (Oso Kukës?) dhe Ramadani e Sylymani në Prizren. Edhe Neziri, Alia e Muslia, që ishin vëllezër nga baba me Asmanin e … Ramadanin, kishin shkua në Prizren.

Hamza, që në Turjakë dhe rrethinë, e njohin si Tusha, kishte dy djem, Hamidin dhe Shaqen dhe Hasani, që ishte shpërngulur në Damanek, që tash janë një mahallë, Mahalla e Dervishëve, me Januz Dervishin, Alinë, vëllain e Januzit, Bajramin me djemtë: Hajdarin, Hasanin, Haxhinë dhe Muharremin.

Kjo ishte vetëm sa i përket Mahallës së Madhe- Turjakës ndersa dy mahallave të tjera, asaj te Mahallës së Vogël dhe Mahallës së Goqëve,

nuk di shumë por sot do ti përmendi disa nga pleqt e burrat e kësaj mahalle.

Mahalla e Vogël

Met, Sahit dhe Hasan Jemini, Mulla Haliti, Xhemajli dhe Banush Nuredini, si një familje ishin si një familje.

Tush Asmani, familje tjetër, kishte dy djem Asmanin dhe Sinanin. Rexhepi, Murati edhe Rifati ishin djemtë e Asllanit. Meta me djemt dhe Sadrinë

Mixha Dergut me djemt: Tafilin e Lilin.

Po i kësaj mahalle ishte edhe komita i njohur Hasan Zatriqi.

Ishin edhe disa familje të tjera, si Hamzë Haliti, Idrizi dhe Demushi, djemt e Amrushit. E djemtë e Elezit ishin: Azemi e Ademi.

Dul Jetullahit i kishte tre djem: Sakolin, Hajdarin e Hamdinë.

Xaferi, kishte Miftarin dhe Ganinë. Shabani e ka lënë Muharremin. Haxhia, Hakinë dhe Behramin, Sejdinë dhe Hakinë.

Sadri Xhema i cili nuk ka lënë djalë ishte i kësaj mahalle. Ka vetëm një qikë të martuar te pagarusht e Damanekit.

Të gjithë ishin të fisit Kastrat.

Mahalla e Goqëve

Xhem Syla: Fazlinë dhe Muslinë. Malokt: Dema edhe Sejdia. Ramadan Zeqiri, Rexhep Berisha, Muhamt e Shaban Fejza.

I kësaj mahalle ishte edhe Bajram Qaushi i njohur si qaush, oficer i turkit.

Në Turjakë ka edhe edhe dy mahallë krejt të vogla: Mahalla e Kajtazëve, Muhamet e Avdyl Kajtazi e Xhelir Islami, që është në mes të dy mahallëve, të Madhes dhe të voglës, në fund të malit të Çukës.

Është edhe mahalla e Qorrëve. I njohur dhe burrë trim e i menqur i kësaj familje kishte qenë Fazli Qorri.

Mahi e mesele nga Turjaka e turjakasit.

O qonu se po dridhet toka

Bajram Ramadani ishte ndër pleqt më të dashur në Turjakë. Sa herë që shkoja në Turjakë, nga Prishtina, e shihja mixhën Bajrë. Ai gëzohej sikur ndonjë fëmi dhe më folte aq mirë sikur më i miri plak e gjysh.

Takohesha në mbrëmje kur kthehej nga bjeshka me dhen.

Unë menxi pritesha me u përshëndet me një plak të dashur qysh ishte ai.

Kur vinte te Mahalla e Ali Agëve, dhenëve iu rrinte mbrapa e se thonte: Ali Agët ma marrin naj dele.

Mixha Bajrë kishte tre djem: Ramadanin, Jeminin dhe Isën. Njëherë natën, Jemini i hynë ner krevet mixhës Bajrë e ai nuk e sheh dhe fillon me ia lëkund krevatin, njëherë ngadalë e dikur më shpejt. Mixha Bajrë mendon se po dridhet toka dhe fillon me ra Shahadet me të Madhe “La i Lahi Ilallah ….” e dikur qohet e del në oborr dhe me sa zë që ka bërtet: – O qohuni more se po dridhet toka!

Baca Tah kur ish pas shku dhânerr s`pari në Bellenicë.

Baca Tah shkon dhânerr s`pari me Alinë. Alia edhe pse ishte më i vogli prej vëllezërve, ishte zot shtëpie. Alia rrugës i thot Fetahit që të mos flet. E Fetahi i thot. Mos ki gajle se nuk flas.

Ishte adet që dhanuert, i mundonin dhe shpesh në lojra të ndryshme, iu qitnin edhe samar dhanuerve dhe i shtinin kishi me u falur afër muri e provokime nga më të ndryshmet.

Por Fetahi nuk folte fare dhe Bellenica e bâjnë men qysh me shti Fetahin me fol. Njëri prej tyre thotë: – Kuvalt Roda, kur të pshurren, i bâjnë edhe ka dy pordhë. Baca Tah, atherë flet: Edhe unë kur të pshurri, i l`sjoj ka dy, tri pordhë.

A ka më të madh se Bajram Begi a?

Në një dasëm të madhe në Turjakë e ku shahirat ishin përveç Xhelir Islamit e Muhamet Kajtazit, ishin edhe Salihi e Ferizi të cilët e shyhretonin odën me këngë, bënin edhe muhabet. Kur e këndonin ndonjë këngë, nuk dëgjihej as miza e në fund bënin tregonin anekdota e gjuheshin me fjalë. Kur e këndojnë këngen e Bajram Begut që askush nuk e këndonte më mirë, Islam Maliqi nuk e kishte dëgjua dhe i drejtohet Salihit: -Salih, k`nona naj kâng të burrave e Salihi i thot Islamit: -Islam, a ka burrë me të madh se Bajram Begi?

Është interesant se kur këndohej kënga e Bajram Begut, nuk duhej me qit me pushkë.

Zogjët e shotës të Cufë Brahimit

Baca Cufë i ka pas dy gra:Bahtishahin dhe tezen Nurë, qikën e dajes Xheledin nga Dragabili. Me të parën që ishte nga Mllanaviqi i kishte tre djem: Asmanin, Ramadanin e Sylymanin dhe me tezen Nurë, kishte: Nezirin, Alinë. Njëherë kur kishin pas dashur me qit ni pulë klluq, nuk kishin pasur ve të pulave dhe ia kishin qit do ve të shotave.

Kur dualën zogjtë e shotës, hynin në ujë e pula bënte “ku-ku” por ata nuk i vini pas. Njëri nga pleqtë i kish pas thënë, në hajgare:- Cufë, edhe ty kanë me të lân djemt kur të rriten se i ki me dy gra. Por baca Cufë deri sa i ka vdekur Bahtishahi, ka fjetur një javë te njëra e një javë te tjetra.

A je lodh axha Shaqë?

Djemt e Sylë Ramadanit, Hamdia e Gania, kur i lëshojshin lopët në Sabah, Shaqë Tusha dilte para dyerve të oborrit e ulej në nje pastaqi (likurë e deleve) dhe i shikonte gjân e katundit. Qabanët i përshëndesnin, varësisht se në çfarë kohe ishte me: A munu qove, në mëngjes; a u lodhe në drekë e darkë etj. E Gania me Hamdinë i thonë axhës Shaqë:- A u lodhe o axha Shaqë, kur ai sa ish qu e ai iu përgjigjej:- Po Vallahi jam lodhur se me Xhylen jemi kapur gjithë natën, fyt për fyti. Që do të thotë, nuk duhet me i thënë askujt në sabah a munu qovr, ishte porosia e Shaqës Tushës.

1*) Katund. KATUND m. • 1. Fshat. Katund i ri. Katund më katund. Katund me njëqind shtëpi. Banoj (jetoj) në katund. U ngrit gjithë katundi.

• 2. hist. Bashkësi e njerëzve, që merreshin kryesisht me blegtori e bënin një jetë shtegtare; vendbanimi i përkohshëm i këtyre njerëzve; fshat i madh, me shtëpi të shpërndara e larg njëra-tjetrës. • Ia fut katundit thjeshtligj. flet kot, pa gjykuar thellë; bën një veprim të pamatur. Sa poshtë ka rënë katundi mospërf. shih te POSHTË.

Dhe FSHAT m. 1. Qendër e vogël banimi, ku njerëzit merren kryesisht me bujqësi dhe me blegtori, katund. Fshat fushor (malor). Fshat i largët. Fshatrat e Shkodrës (e Beratit). Kroi i fshatit. Shtëpi fshati. Shkoj (punoj, jetoj) në fshat. Ngushtimi i dallimeve midis fshatit dhe qytetit. 2. përmb. Tërësia e banorëve të kësaj qendre; fshatarët. U mblodh (u ngrit) i gjithë fshati. 3. Qendër e vogël ku banojnë përkohësisht grupe njerëzish që kryejnë një veprimtari të caktuar. Fshat olimpik. Bën fshat më vete jeton më vete, zhvillon veprimtari më vete; vepron sipas mendjes së vet. Kryeplak në fshat të huaj shih te KRYEPLAK,~U. Fshati që duket s’do kallauz fj.u. diçka që duket a njihet nuk ka nevojë për shpjegime të mëtejshme; është fare e qartë e nuk ka nevojë për ndonjë provë a dëshmi.

Unë Turjakën e quaj ”katund” e jo fshat për arësye të kuptueshme se është kryesisht afër maleve e bjeshkëve dhe tokën e punës, arat i ka kodrinore e malore. Ndërsa fjalën ”fshat”, e shpjegoj sipas fjalës ”fushat”. Që do të thotë janë vendbanime fushore dhe nga shqiptimi i dendur i fjalës ”Fushat”, zanorja ”u” ka rënë dhe kemi fjalën e re ”fshat”.

Disa shënime i kam marrë nga Veli Sadria, Jup Rexhepi, Sefer Imeri, Kapllan Muslia etj.

Vazhdon