Turku i celulës terroriste i arrestuar në Rinas, ja vendimi i Gjykatës së Lartë që i dha lirinë

23.10.2019 19:01:39

Turku Abdulselam Turgut, ky që po shihni në këtë foto, i cili, sipas policisë shqiptare ka bashkëpunuar me celulën iraniane që planifikonte sulme terroriste në Shqipëri, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.

Në shkurt të vitit 2011, në moshën 45-vjeçare, ai u arrestua në Rinas. U prangos pasi emri i tij figuronte në listën e Interpolit, si i kërkuar nga policia gjermane që në vitin 2009 për trafikimin e 1 ton droge, një vepër që dënohej në Gjermani me 15 vjet burg.

Me 10 shkurt të atij viti, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e vlerësoi të ligjshëm arrestimin me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, por me 4 mars, Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e masës në arrest shtëpie, në një apartament të papërcaktuar saktësisht, në katin e 8 të një pallati pranë Kthesës së Kamzës.

Prokuroria i bën rekurs këtij vendimi, por me 29 mars 2011 edhe Gjykata e Lartë, me një vendim 4 me 1, lë në fuqi masën e Apelit që turku Abdulselam Turgut duhet të qëndronte në arrest shtëpie.

Pasi u la në arrest shtëpie, turku u arratis pa lënë gjurmë, duke ngritur në këtë mënyrë mjaft dyshime edhe për vendimin e gjykatës së apelit, e cila kishte vepruar edhe duke marrë në konsideratë një raport mjekësor, sipas të cilit, ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia shqiptare deklaroi paradite se ai kishte lidhje te vjetra me krimin e organizuar ne Shqipëri. Sipas disa shkrimeve ne mediat turke, ai rezulton i arrestuar ne vitin 1998 se bashku me disa shtetas shqiptarë për trafik droge, një ish-futbollist të Fenerbaçes, Ismail Çira, Xhemail Pasmaçiun dhe Hekuran Hoxhën.

Hoxha u arrestua në vitin 2018 si pjesë e grupit të Shijakut, në operacionin “Volvo 4”. Bashkë me ta u kapen në atë kohë edhe disa persona të tjerë. Aktualisht Turgut gjendet në burg në Turqi po për trafik droge.