Turqi: Janë vrarë dy pjesëtarë të dyshuar të ISIS-it

21.05.2017 17:27:02
Policia e Turqisë i ka vrarë dy pjesëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik (IS), që mendohej se po planifikonin sulm në kryeqytetin Ankara në Turqi, ka thënë guvernatori rajonal, Ercan Topaca.

Këta dy të dyshuar ishin vrarë gjatë operacionit policor në rezidencën e tyre në lagjen Etimesgut në Ankara, pas përleshjeve të armatosura me policnë, tha zoti Topaca për agjencinë shtetërore të lajmeve, Anadolu.

Ai theksoi se policia kishte hapur zjarr pasi dy të dyshuarit kishin shtënë kundër forcave të sigurisë.

Pas “neutralizimit” të këtyre dy personave, janë gjetur pushkë automatike dhe granata dore, ka thënë guvernatori Topaca.

Identiteti dhe kombësia e dy personave të vrarë ende nuk është konfirmuar.

Gjatë 18 muajve të kaluar, Turqia është përfshirë nga një valë e sulmeve për të cilat është fajësuar IS-i dhe militantët kurdë, nga të cilat janë vrarë qindra persona në Stamboll, Ankara dhe Gaziantep.