Turqi, marshim 450 km Ankara-Stamboll kundër burgosjes së opozitarit

15.06.2017 19:35:33
Partia kryesore opozitare në Turqi nisi marshimin nga Ankaraja drejt Stambollit, për të protestuar kundër burgosjes së një deputeti, i cili u dënua me 25 vite burg me akuzën se i dha informacione shtypit.

Qindra protestues me parrulla ku shkruhet “Drejtësi” i janë bashkuar marshimit, që do të zgjasë 450 kilometra për të kërkuar lirimin e Enis Berberoglu.

“Po përballemi me një diktaturë. Nuk duam të jetojmë në një vend ku nuk ka drejtësi. Turqia po zhytet çdo ditë e më shumë në errësirë dhe demokracia po zhduket. Prandaj duhet të luftojmë bashkë”, tha Kemal Kiliçdaroglu, udhëheqës i “CHP”-së.

Marshimi i nisur nga Partia Republikane e Popullit, ku deputeti Enis Berberoglu bën pjesë, do të përfundojë në dyert e burgut “Maltepe”, ku ai është burgosur.

Berberoglu u shpall fajtor të mërkurën për nxjerrje sekretesh shtetërore dhe u dënua me 25 vite burg. Sipas akuzës, ai i dha informacione gazetës “Cumhuriyet”, e cila publikoi një artikull për kamionë me armë të shërbimit sekret turk që hynin në Siri.

Vitin e kaluar, Turqia anuloi imunitetin për deputetët dhe, sipas kritikëve e analistëve, kjo u bë nga qeveria e presidenti Erdogan për të kërcënuar, trembur dhe burgosur kundërshtarët. Enis Berberoglu është i pari nga opozita që burgoset pas ndryshimit të rregullit.