Turqi, nis fushata për referendumin mbi ndryshimet kushtetuese

16.02.2017 14:23:46

Komisioni i Lartë Zgjedhor i Turqisë ka njoftuar se prej sot fillon fushata për referendumin mbi ndryshimet kushtetuese të planifikuara për më 16 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Që nga sot, partitë politike zyrtarisht lejohen të bëjnë fushatë mbi ndryshimet kushtetuese të cilat mund të hapin rrugën për futjen e sistemit presidencial në Turqi.

Në referendumin e 16 prillit, nga votuesit do të kërkohet të përgjigjen me “po” ose “jo” mbi propozimin e 18 amendamenteve kushtetuese.

Fushata për referendum do të zgjasë deri në ora 18:00, sipas kohës lokale, më 15 prill.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan do të fillojë fushatën me “po” për referendumin me mbajtjen e një sërë takimesh në krahinën Kahramanmaras të premten.

Partia Popullore Republikane (CHP), partia kryesore opozitare është duke planifikuar për të filluar fushatën me “jo” referendumit të hënën, me paraqitje në media dhe tubime në qytetet e mëdha si Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri.

Shtetasit turq jashtë vendit do të mund të votojnë në periudhën nga 27 marsi deri më 9 prill në qendrat e votimit në ambasada dhe konsullata si dhe në portet dhe aeroportet turke. Këto vota do të numërohen në Turqi gjatë natës së referendumit.

Debati për reformat kushtetuese zgjat që nga gushti i vitit 2014, kur kryeministri i atëhershëm Erdoğan u zgjodh për president. Ligji u miratua në Parlament në janar të këtij viti me 339 vota pro, nëntë më shumë se sa nevojiteshin që propozimi të vendoset në referendum.

Sipas propozimit të ndryshimeve kushtetuese, Presidenti do të ketë kompetenca të gjera ekzekutive, kurse pozita e Kryeministrit do të hiqet.

Presidentit do t’i lejohet të mbajë lidhje me partinë e tij politike.

Ndryshimet tjera përfshijnë moshën e kandidatëve për deputetë, e cila do të ulet në 18 vjet, kurse numri i deputetëve do të rritet në 600. Sipas kushtetutës së re, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale do të mbahen në të njëjtën kohë çdo pesë vjet, duke filluar nga nëntori i vitit 2019.